Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një paketë me 59 amendamente për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal, vetëm tre ditë përpara përfundimit të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Demokratët kanë paraqitur 39 amendamente në Kodin Zgjedhor dhe 20 propozime për ndryshime në Kodin Penal. Paralelisht, PD ka kërkuar shtyrjen me dy deri në tre muaj të mandatit të komisionit, i cili përfundon më 30 nëntor 2026.
Një nga ndryshimet kryesore që kërkon opozita është ndryshimi i sistemit zgjedhor, përmes kalimit në sistemin proporcional kombëtar, me një zonë të vetme zgjedhore dhe lista 100% të hapura.
Në paketën e propozuar përfshihet edhe vendosja e një pragu kombëtar prej 3% për partitë dhe koalicionet, përqindje që sipas PD-së mbetet për t’u negociuar dhe dakordësuar mes palëve. Demokratët kërkojnë gjithashtu rikthimin e koalicioneve me lista të veçanta, si dhe lista të hapura për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë.
Një tjetër pjesë e propozimeve lidhet me ndarjen e shtetit nga partia dhe parandalimin e përdorimit të administratës publike për qëllime elektorale. Për këtë qëllim, PD propozon krijimin e një periudhe të mbrojtur zgjedhore, gjatë së cilës do të kufizoheshin vendimmarrjet dhe aktivitetet e institucioneve publike që mund të krijojnë avantazhe për subjekte të caktuara politike.
Ndërkohë, në ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, demokratët kërkojnë ashpërsimin e dënimeve për veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor. Mes propozimeve është parashikimi i dënimeve deri në shtatë vite burg për organizimin e paligjshëm të patronazhimit politiko-administrativ, falsifikimin e rezultateve zgjedhore në rrethana të rënduara dhe organizimin e skemave të blerjes së votave.
Ndryshimet synojnë gjithashtu ndëshkimin e manipulimit të votës dhe ndërhyrjeve të paligjshme në procesin zgjedhor.
Përveç paketës së amendamenteve, PD i është drejtuar me një kërkesë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, përmes bashkëkryetarit demokrat të komisionit, Oerd Bylykbashi, për zgjatjen e afatit të punës së Komisionit të Posaçëm me dy deri në tre muaj.
Në argumentimin e kërkesës, Bylykbashi thekson se nevojitet më shumë kohë për përfundimin e projektligjeve, shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe arritjen e një dakordësie politike mes palëve.
Sipas demokratëve, një pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të evidentuara në raportet për zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, vijojnë të mbeten të patrajtuara ose të papërfshira në legjislacion.
PD kërkon gjithashtu vijimin e konsultimeve me ekspertët ndërkombëtarë dhe asistencën e OSBE/ODIHR-it, Bashkimit Europian dhe Komisionit të Venecias për përmbylljen e reformës zgjedhore.
Propozimet e opozitës vijnë në prag të përfundimit të mandatit të komisionit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse mazhoranca do të pranojë kërkesën për zgjatjen e afatit dhe nëse palët do të arrijnë konsensus për ndryshimet e propozuara.



