Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së, e cila një ditë më parë shpalli fajtore nënën e saj dhe e dënoi me 2 vite shërbim prove. E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, Kryemadhi e cilësoi vendimin të padrejtë, duke deklaruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar të drejtën.
Ajo kundërshtoi pretendimet për pastrim parash, duke argumentuar se banesa për të cilën prokuroria ka kërkuar konfiskimin është përfituar përmes një marrëveshjeje kleringu dhe jo nga të ardhura me burim kriminal.
“Nuk është fitore vendimi, sepse shtëpinë ma ka thyer Apeli që në vitin 2024. Prokurori ka kërkuar konfiskimin e një shtëpie që është bërë me klering, nuk është blerë me pastrim parash. Kur thua pastron, është bërë një vepër penale. Cila është vepra penale që ka bërë? Ka shkelje procedurash dhe do të kërkoj të drejtën deri në fund”, u shpreh Kryemadhi.
Ish-deputetja pretendoi se nëna e saj nuk ka kryer asnjë shkelje dhe se hetimi ndaj saj është nxitur nga lidhja familjare me të. Sipas Kryemadhit, ajo është vënë në shënjestër për shkak se është nëna e saj dhe ish-vjehrra e Ilir Metës.
Gjatë intervistës, Kryemadhi foli edhe për qëndrimin e Partisë së Lirisë ndaj burgosjes së Ilir Metës. Ajo shprehu habinë që përfaqësuesit e kësaj force politike nuk reaguan në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ku ishte e pranishme edhe komisionerja europiane Marta Kos.
Duke iu referuar përfaqësuesit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, Kryemadhi kritikoi mungesën e reagimit publik për atë që ajo e cilësoi si burgosje politike të kreut të kësaj partie.
Ajo solli në vëmendje edhe arrestimin e ish-kryeministrit Fatos Nano gjatë qeverisjes së Sali Berishës, duke kujtuar se në atë kohë Partia Socialiste ishte mobilizuar në institucionet ndërkombëtare për të kundërshtuar atë që e konsideronte burgosje politike.
“Ne nuk na kishte thënë kurrë Fatos Nano, kur u arrestua nga Sali Berisha, që të mos reagonim. E gjithë PS-ja u strukturua dhe ishim në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ku flisnim për burgosjen politike të tij”, deklaroi ajo.
Kryemadhi theksoi se reagimi ndaj arrestimit të një drejtuesi politik është i domosdoshëm, edhe përmes komunikimit në rrjetet sociale, duke kritikuar heshtjen e përfaqësuesve të Partisë së Lirisë.



