Ola Mitre
Rreth 15.5 mln euro është fatura për blerjen e energjisë gjatë muajit nëntor. Mungesa e reshjeve të shiut gjatë këtij muaji, detyroi Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare t’iu rikthehet blerjeve të energjisë, teksa u zhvilluan 2 procedura tenderuese për përballimin e nevojave konumatore.
Në total, KESH bleu rreth 100 mijë mWh energji, ndërsa çmimi me të cilin u sigurua energjia varion nga 147 -157 euro/ mWh.
Këto ishin procedurat e para për blerje energjie të zhvilluar pas 3 muajsh, që KESH nuk kryente importe çka sugjeron se deri më tani, nevojat janë plotësuar nga prodhimi në Kaskadën e Drinit.
Ndërkaq, këto shpenzime kanë rritur faturën për blerje energjie për vitin 2024, duke e çuar në gati 59.3 mln euro. Kjo shumë, është shpenzuar vetëm nga mesi i muajit qershor, kur nisën edhe importet e para, duke qenë se thuajse deri në mes të vitit nuk u krye asnjë procedurë për sigurim energjie.
Në total, gjatë vitit 2024 janë importuar mbi 458 000 mWh energji, ndërsa çmimi mesatar përllogaritet në rreth 124 euro/ mWh.