Një raport tronditës po qarkullon në mediat ndërkombëtare, sipas të cilit një sulm izraelit në Teheran kishte si objektiv lirimin e ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad dhe vendosjen e tij në krye të një qeverie alternative në Iran.
Sipas raportimeve, plani i dyshuar ishte pjesë e një strategjie sekrete të SHBA-së dhe Izraelit për destabilizimin e regjimit iranian dhe rrëzimin e strukturës aktuale të pushtetit të udhëhequr nga Ali Khamenei.
Burime të cituara nga media të huaja pretendojnë se gjatë sulmit Ahmadinejad u plagos, por arriti të mbijetojë. Po sipas këtyre raportimeve, disa nga truprojat e tij mbetën të vrarë, ndërsa rezidenca ku ai qëndronte nuk u shkatërrua plotësisht.
Sulmet izraelite në ditën e parë të përplasjes thuhet se goditën pjesë të kompleksit të Ajatollah Khameneit në Teheran, duke shkaktuar vdekjen e disa zyrtarëve të lartë iranianë.
Sipas skenarit të raportuar, Izraeli dhe SHBA synonin krijimin e një klime destabiliteti politik dhe ushtarak, që më pas do të çonte në instalimin e një qeverie më të pranueshme për Perëndimin, me Ahmadinejadin si figurë qendrore.
Megjithëse i njohur për retorikën e ashpër kundër SHBA-së dhe Izraelit gjatë presidencës së tij, Ahmadinejad përshkruhet në raport si një figurë që Perëndimi e konsideronte potencialisht “pragmatike” për menaxhimin e tranzicionit politik në Iran.
Pas shpërthimit të konfliktit, vendndodhja dhe gjendja e tij mbetën për disa orë të paqarta. Raportimet fillestare e shpallën të vrarë, por më vonë u pretendua se ai kishte mbijetuar.
Në analizat e publikuara thuhet gjithashtu se Izraeli kishte parashikuar një plan në disa faza, që përfshinte sulme ajrore, operacione ndikimi dhe mobilizim të grupeve kurde për të nxitur ndryshimin e regjimit në Iran. Megjithatë, sipas këtyre raportimeve, strategjia nuk arriti rezultatet e pritshme dhe regjimi iranian mbeti në këmbë.
Në vitet e fundit, Ahmadinejad kishte zhvilluar disa udhëtime jashtë Iranit, përfshirë vizita në Hungari dhe Guatemalë, çka ka ushqyer spekulime për kontakte dhe kanale komunikimi me vende perëndimore.



