KreuAktualitetSocialeSkandal me kontrollin e mishit të importuar/ Shkarkohen 4 inspektorë, verifikohen edhe...

Skandal me kontrollin e mishit të importuar/ Shkarkohen 4 inspektorë, verifikohen edhe drejtuesit e AKU-së

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) janë shkarkuar nga detyra pas shkeljeve të konstatuara në procedurën e kontrollit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri të importuar nga Brazili.

Vendimi është marrë nga Inspektorati i Përgjithshëm, i drejtuar nga Dashnor Sula, pas një hetimi administrativ për përgjegjësitë e punonjësve të përfshirë në kontrollin e ngarkesës së importuar nga kompania KING-MIT.

Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej inspektorëve, me inicialet L.B., i cili shërbente në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së në Durrës, është shkarkuar për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, stabilimentit të autorizuar për eksport dhe vërtetësisë së certifikatës përkatëse. Këto mangësi kanë lejuar kalimin e ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.

Ndërsa tre inspektorë të tjerë të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, me inicialet E.T., K.K. dhe M.G., janë shkarkuar për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve dhe vendosjen e një mase administrative që, sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, nuk ishte proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve.

Vendimet disiplinore janë marrë pas shqyrtimit të dokumentacionit, zhvillimit të seancave dëgjimore dhe vlerësimit të përgjegjësive individuale nga Komisioni Disiplinor.

Por hetimi nuk është mbyllur me shkarkimin e katër inspektorëve. Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar gjithashtu verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e kësaj ngarkese.

Ky verifikim synon të zbardhë dokumentacionin, veprimet e kryera dhe përgjegjësitë e strukturave të tjera të përfshira në proces.

Në njoftimin e tij, Inspektorati i Përgjithshëm paralajmëron se nuk do të tolerojë neglizhencën apo shkeljen e procedurave nga inspektorët e AKU-së, veçanërisht në pikat e kalimit kufitar, ku kontrolli i produkteve ushqimore lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e konsumatorëve.

Shkarkimi i katër punonjësve vjen pas problematikave të konstatuara në rastin e 27 tonëve mish derri nga Brazili, ndërsa pritet të shihet nëse verifikimi i urdhëruar do të nxjerrë përgjegjësi edhe në nivelet drejtuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat