back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetBotaRihapet dosja Khashoggi në Francë/ Drejtësia heton krimin e vitit 2018

Rihapet dosja Khashoggi në Francë/ Drejtësia heton krimin e vitit 2018

Një grup hetimor në Paris pritet të hedhë dritë mbi vrasjen e gazetarit disident saudit Jamal Khashoggi, i vrarë në vitin 2018, pas një ankese të depozituar nga organizata për të drejtat e njeriut ndaj princit të kurorës saudite Mohammed bin Salman.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia AFP, e cila kujton se Arabia Saudite dhe princi i kurorës u përballën me reagim të fortë ndërkombëtar pas ngjarjes në konsullatën saudite në Stamboll, për të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar se Bin Salman mund të ketë pasur përgjegjësi direkte.

Khashoggi, një gazetar me shtetësi amerikane dhe kolumnist i “Washington Post”, ishte një kritik i njohur i politikave të Riadit. Ai u vra në konsullatë, ku sipas hetimeve ndërkombëtare u mbyt dhe trupi i tij u copëtua.

Ankesa në Francë është depozituar nga organizata DAWN – Democracy for the Arab World Now dhe Trial International, gjatë vizitës së Bin Salman në Paris në vitin 2022. Më vonë çështjes iu bashkua edhe organizata “Reporterët pa Kufij”.

Sipas autoriteteve franceze, hetues të njësisë për krime kundër njerëzimit do të shqyrtojnë akuzat për torturë dhe zhdukje me forcë, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm pas viteve të debatit juridik mbi hapjen e çështjes.

Vendimi i gjykatës së apelit u përshëndet nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e cilësuan atë një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë për vrasjen e gazetarit.

Sipas avokatëve të përfshirë në çështje, krimi ndaj Khashoggi-t dyshohet të jetë planifikuar në nivelet më të larta të shtetit saudit, ndërsa theksohet se nuk duhet të ketë pengesa për vijimin e hetimeve gjyqësore në Francë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat