Zbardhen detaje nga dëshmia e Gëzim Bashllari, i arrestuar pas operacionit të Agjencia e Mbikëqyrjes Policore lidhur me ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil.
Sipas burimeve pranë hetimit, Bashllari ka habitur hetuesit me deklaratat e dhëna gjatë marrjes në pyetje.
Para oficerëve të AMP-së, shefi i Komisariatit mësohet të ketë deklaruar se gjatë kësaj jave ka qenë i angazhuar me hetimin e vrasjes së ndodhur në Sarandë dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur kohë të merret me rastet e ndërtimeve pa leje në zonë.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur AMP dhe Prokuroria po hetojnë dyshimet se drejtues dhe efektivë të policisë lokale kanë favorizuar ose toleruar ndërtime të paligjshme në zonat bregdetare të jugut.
Operacioni çoi në arrestimin e Bashllarit dhe disa punonjësve të tjerë të policisë, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mosveprim përballë paligjshmërisë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbuluar nëse pas lejimit të ndërtimeve pa leje fshihen skema korrupsioni apo lidhje me grupe kriminale që operojnë në zonën e Sarandës.



