KreuAktualitetEkonomiaEuro po afron?/ Shqipëria nis zyrtarisht përgatitjet ligjore për monedhën europiane

Euro po afron?/ Shqipëria nis zyrtarisht përgatitjet ligjore për monedhën europiane

Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm në përgatitjet për adoptimin e euros, duke përfshirë për herë të parë në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë” dispozita të posaçme që përcaktojnë funksionimin e bankës qendrore pas hyrjes së vendit në Eurozonë.

Projektligji, i cili është publikuar për konsultim publik, parashikon se në momentin kur Shqipëria të adoptojë zyrtarisht euron, ajo do të bëhet monedha kombëtare e Republikës së Shqipërisë. Në këtë fazë, Banka e Shqipërisë do të marrë përgjegjësinë për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.

Gjithashtu, banka qendrore do të ketë të drejtën të përcaktojë dizajnin e monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, duke respektuar standardet dhe procedurat e përcaktuara nga institucionet evropiane.

Megjithatë, përfshirja e këtyre dispozitave nuk nënkupton se euro do të adoptohet në një afat të shkurtër. Sipas projektligjit, ato do të hyjnë në fuqi vetëm pasi Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe të përmbushë kriteret ekonomike të konvergjencës që kërkohen për anëtarësimin në Eurozonë.

Dispozitat e reja janë pjesë e një reforme të gjerë që synon harmonizimin e plotë të legjislacionit të Bankës së Shqipërisë me acquis communautaire të Bashkimit Evropian, duke krijuar bazën institucionale për integrimin e saj në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.

Përveç përgatitjeve për adoptimin e euros, projektligji sjell ndryshime të rëndësishme në funksionimin dhe organizimin e Bankës së Shqipërisë. Një prej tyre është forcimi i pavarësisë institucionale, funksionale, financiare dhe personale të bankës qendrore. Ligji ndalon shprehimisht që institucioni të kërkojë ose të marrë udhëzime nga qeveria apo autoritete të tjera publike gjatë ushtrimit të kompetencave të tij.

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë mbetet ruajtja e stabilitetit të çmimeve, ndërsa projektligji i jep një rol më të qartë edhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Për herë të parë, në ligj përfshihet një kapitull i posaçëm për politikën makroprudenciale, që i jep bankës kompetenca më të gjera për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve sistemike në sektorin financiar.

Reforma zgjeron gjithashtu kompetencat mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë ndaj institucioneve financiare. Institucioni do të ketë më shumë autoritet për kryerjen e inspektimeve, kërkimin e informacionit shtesë dhe vendosjen e masave administrative ndaj subjekteve që mbikëqyr.

Ndryshimet ligjore prekin edhe sistemet e pagesave, administrimin e rezervave valutore dhe mbledhjen e statistikave monetare e financiare, të cilat do të harmonizohen me standardet e Bashkimit Evropian.

Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në qeverisjen e Bankës së Shqipërisë, duke forcuar kriteret profesionale dhe të integritetit për drejtuesit e saj. Një risi është krijimi i Komitetit të Politikës Monetare dhe Komitetit të Stabilitetit Financiar, të cilët do të shërbejnë si organe këshillimore pranë Këshillit Mbikëqyrës, shkruan scan tv.

Në aspektin financiar, projektligji forcon pavarësinë ekonomike të bankës qendrore. Kapitali i nënshkruar i Bankës së Shqipërisë propozohet të rritet nga 2.5 miliardë lekë në 6 miliardë lekë, ndërsa përcaktohet një mekanizëm i ri rikapitalizimi për rastet kur kapitali bie nën nivelin minimal të parashikuar me ligj.

Po ashtu, ruhet kërkesa që rezerva e përgjithshme e bankës të jetë të paktën pesë herë më e lartë se kapitali i nënshkruar, ndërsa krijohen edhe rezerva të posaçme për mbulimin e rreziqeve financiare.

Me këto ndryshime, Shqipëria synon të përgatisë kuadrin ligjor dhe institucional për integrimin në Bashkimin Evropian dhe, në një fazë të mëvonshme, për adoptimin e monedhës euro, sapo të përmbushen të gjitha kushtet e nevojshme ekonomike dhe politike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat