Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur në favor të dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, duke shfuqizuar aktin administrativ të rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, me të cilin ajo ishte pezulluar nga detyra.
Në vendimin e saj, gjykata ka urdhëruar rikthimin e menjëhershëm të Dorina Hoxhës në postin e dekanes së Fakultetit të Drejtësisë. Vendimi hyn në fuqi menjëherë, çka do të thotë se ajo duhet të rifillojë ushtrimin e detyrës që prej ditës së sotme, pavarësisht nëse pala humbëse vendos ta ankimojë çështjen në Gjykatën e Apelit Administrativ.
Dorina Hoxha u pezullua nga detyra më 20 maj me urdhër të rektorit Artan Hoxha, pasi kishte shprehur interesin për të kandiduar për anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Vendimi për pezullimin e saj ngjalli debat në ambientet akademike dhe u kundërshtua nga vetë dekania, e cila iu drejtua gjykatës për ta ankimuar.
Me vendimin e fundit të Gjykatës Administrative, akti i pezullimit është shpallur i pavlefshëm, duke i hapur rrugën rikthimit të saj në krye të Fakultetit të Drejtësisë.
Ky vendim përbën një zhvillim të rëndësishëm në përplasjen institucionale mes drejtuesve të Universitetit të Tiranës dhe rikthen Dorina Hoxhën në funksionin e saj, ndërsa mbetet për t’u parë nëse pala tjetër do ta ndjekë çështjen në instancat më të larta gjyqësore.



