Pas një seance maratonë që zgjati rreth shtatë orë, Gjykata ka dhënë masat e sigurisë për katër efektivët e Komisariatit të Policisë Sarandë, të arrestuar pas skandalit të “Copacabana”-s, beach bar-it pa leje që tronditi strukturat e policisë lokale dhe çoi në shkarkime në kupolën drejtuese të qytetit bregdetar.
Hetimet për rastin janë zhvilluar nga prokuroret Silvana Belishta dhe Esmeranda Basho, të cilat kërkuan masën “arrest me burg” me afat 45 ditë për ish-shefin e Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, dhe specialistin e zonës Robert Çulli. Ndërsa për oficerët e krimeve Andi Duro dhe Ajdin Islamaj, organi i akuzës kërkoi masën “arrest në shtëpi”.
Në përfundim të seancës, gjyqtari Shkëlzen Liçaj vendosi të ndryshojë pjesërisht kërkesën e Prokurorisë vetëm për Bashllarin dhe Çullin, duke ulur afatin e masës “arrest me burg” nga 45 në 30 ditë. Për dy efektivët e tjerë, Andi Duro dhe Ajdin Islamaj, gjykata la në fuqi masën “arrest në shtëpi”.
Gjatë seancës, katër efektivët e akuzuar kanë mohuar pretendimet e ngritura ndaj tyre, duke kundërshtuar përfshirjen në favorizimin e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare të Sarandës.
Pas daljes nga gjykata, avokati mbrojtës i ish-shefit të komisariatit, Edison Ademi, deklaroi se ndalimi i klientit të tij ishte i paligjshëm dhe se dosja kishte mangësi serioze.
“Gjykata vlerësoi ndalimin si të paligjshëm. Provat mungonin pothuaj tërësisht. Sipas vlerësimit tim, kishte shkelje të rënda proceduriale dhe ligjore”, u shpreh Ademi.
Katër efektivët u arrestuan katër ditë më parë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën dyshimet se kishin marrë ryshfet dhe kishin lejuar ndërtimin pa leje të beach bar-it “Copacabana”, si dhe objekteve të tjera të paligjshme në zonën e Sarandës.
Skandali solli reagime të forta edhe nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, të cilët paralajmëruan zero tolerancë ndaj çdo punonjësi policie që bashkëpunon me paligjshmërinë, veçanërisht në prag të sezonit turistik.



