back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitet"Socialistët e bashkisë që kanë nga tre-katër shtëpi"/ Tensione në mbledhjen parlamentare...

“Socialistët e bashkisë që kanë nga tre-katër shtëpi”/ Tensione në mbledhjen parlamentare në Durrës

Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, e zhvilluar këtë të martë në Durrës, është shoqëruar me debate të forta mes qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë, për shkak të projektit “TID”, që parashikon transformimin e zonës historike të qytetit bregdetar.

Banorët që preken nga projekti kanë ngritur sërish shqetësimin për shembjen e banesave dhe shpronësimet, duke akuzuar institucionet se po u marrin pronat padrejtësisht dhe pa transparencë.

Një nga reagimet më të forta erdhi nga qytetarja Rita Kazazi, pjesë e grupit të banorëve kundër projektit “TID”, e cila iu drejtua me tone të ashpra politikanëve të pranishëm në sallë.

“Unë jam Rita Kazazi e grupit TID. Ne po na merret shtëpia me të padrejtë. Projekti TID pa na informuar, pa na lajmëruar, pa asgjë fare, një ditë të bukur na vjen një letër për të dalë nga shtëpia”, deklaroi ajo.

Qytetarja theksoi se banesat që preken nga projekti janë prona të trashëguara ndër breza, të pajisura me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe tapi të vjetra.

“Projekt publik thotë bashkia. Keni dëgjuar në ndonjë vend të botës të të prishet shtëpia, me hipotekë, me tokë, me tapi të vjetër, në mes të Durrësit?”, u shpreh ajo mes tensioneve në sallë.

Në një moment, Rita Kazazi iu drejtua edhe përfaqësuesve vendorë dhe punonjësve të bashkisë, duke pretenduar se persona të lidhur me pushtetin nuk preken nga projekti.

“Mos u mërzit se zërin kështu e kam unë, mos u shqetëso ti, se unë nuk shqetësohem kur bën ti kështu. Tani, ty s’të merret shtëpia. Të më dalin këto socialistët e bashkisë që kanë nga tre-katër shtëpi. A i shembet shtëpia ndonjërit prej këtyre?”, deklaroi ajo.

Prej muajsh, banorët e Durrësit protestojnë kundër projektit për Transformimin e Integruar të Durrësit (TID), duke kundërshtuar prishjen e banesave dhe vlerën e shpronësimeve, të cilat sipas tyre janë shumë më të ulëta se çmimi real i tregut.

Projekti zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe synon zhvillimin e parkut arkeologjik dhe rritjen e potencialit turistik të qytetit.

Megjithatë, për 74 familjet që preken nga ky projekt, iniciativa konsiderohet një kërcënim për ekzistencën e tyre dhe për historinë urbane të Durrësit.

Banorët kërkojnë rishikimin e projektit, transparencë të plotë dhe dëmshpërblim sipas vlerës reale të pronave, ndërsa tensionet mes tyre dhe institucioneve vijojnë të mbeten të larta.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat