Një ditë pas publikimit të audiopërgjimit dhe deklaratave të forta të Arben Ahmetajt, ajo që bie në sy është mungesa e një reagimi zyrtar nga qeveria.
Ish-zëvendëskryeministri, në intervistën e tij për “Çim Peka Live”, publikoi materiale audio dhe ngriti pretendime të rënda për një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve, duke përmendur emra konkretë, kompani dhe struktura shtetërore. Në një prej materialeve, Ahmetaj pretendon se armë vijnë nga Afrika, paketohen në Shqipëri dhe më pas marrin rrugën drejt zonave të konfliktit.
Në qendër të deklarimeve të tij ishte biznesmeni Ron Yeffet, të cilin Ahmetaj e lidhi me Edi Ramën, kompaninë TIMAK Defence dhe strukturën shtetërore KAYO. Ai pretendoi gjithashtu se skema shkon përtej trafikut të armëve dhe lidhet me pasuri shtetërore dhe përdorimin e fondeve publike.
Ahmetaj deklaroi se disponon edhe një tjetër regjistrim, rreth tre orë, të cilin e lidhi me një takim në Monako. Sipas tij, materialet përmbajnë elementë që lidhen me trafikun e armëve dhe me persona të rëndësishëm në strukturat shtetërore.
Ku është përgjigjja e qeverisë?
Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk rezulton një reagim zyrtar nga Kryeministria apo një përgënjeshtrim publik nga Edi Rama për akuzat e ngritura nga ish-zëvendëskryeministri i tij. Po kështu, nuk rezulton një reagim i drejtpërdrejtë i Belinda Ballukut për pretendimet e Ahmetajt ku ajo përmendet.
Kjo heshtje vjen në një moment kur akuzat nuk janë thjesht deklarata politike. Ahmetaj ka publikuar edhe materiale audio, autenticiteti i të cilave mbetet për t’u verifikuar nga ekspertët dhe institucionet kompetente. Vetë Ahmetaj tha se regjistrimet mund t’i nënshtrohen ekspertizës.
Ndërkohë, reagimi politik ka ardhur nga opozita.
Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga SPAK dhe ka bërë thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës dhe ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke e lidhur kërkesën me materialet audio të publikuara nga Ahmetaj.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, e ka cilësuar çështjen si një skandal të rëndë dhe ka kërkuar ndërhyrjen e SPAK.
Në Kuvend, ndërkohë, 39 deputetë të opozitës kanë kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për të verifikuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore në lidhje me pretendimet për trafikun ndërkombëtar të armëve.
Komisioni do të kishte për detyrë të verifikonte dokumentet, autorizimet, procedurat e importit dhe eksportit të armëve, kontrollet doganore e kufitare, si dhe çdo ndërhyrje të mundshme të zyrtarëve në trajtimin e çështjeve të dyshuara.
Pra, ndërsa opozita ka kërkuar hetim dhe verifikim institucional, qeveria deri tani nuk ka dhënë një përgjigje publike ndaj akuzave të Ahmetajt.
E Vërteta.al
Ahmetaj hap “dosjen e zezë”/ Nga Rama e Balluku te Yeffet, 11 akuzat që kërkojnë hetim



