KreuDrejtësiaVrasje, kanabis dhe grupe kriminale/ Hita i kërkon llogari Policisë së Shkodrës

Vrasje, kanabis dhe grupe kriminale/ Hita i kërkon llogari Policisë së Shkodrës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me drejtuesit dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, ku në fokus ka qenë situata kriminale në qark dhe rezultatet e punës së uniformave blu.

Gjatë mbledhjes, Hita ka shprehur pakënaqësi për rezultatet e arritura deri tani, duke kërkuar rritjen e efektivitetit në përballimin e kriminalitetit dhe rezultate më konkrete në zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura gjatë takimit ka qenë niveli i zbulueshmërisë së vrasjeve, si dhe aktiviteti i grupeve kriminale që veprojnë në territorin e qarkut.

Në vëmendje ka qenë edhe kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, me drejtuesit vendorë që janë udhëzuar të intensifikojnë kontrollet dhe goditjen e rasteve të kultivimit të lëndëve narkotike.

Hita ka kërkuar gjithashtu që strukturat e Policisë së Shkodrës të rrisin punën për goditjen e grupeve kriminale dhe të përmirësojnë rezultatet në zbardhjen e veprave të rënda penale, veçanërisht rasteve të vrasjeve.

Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë trafiku rrugor dhe masat që duhet të merren për rritjen e sigurisë, veçanërisht në zonat pranë shkollave, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.

Takimi i drejtuesit të Policisë së Shtetit me strukturat vendore u zhvillua pikërisht në ditën kur Shkodra u trondit nga vrasja e 24-vjeçarit Ylber Luli. Për këtë ngjarje, Policia e Shtetit arrestoi Andri Vulajn, i dyshuar si autor i krimit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat