Debate të forta kanë shoqëruar, dje seancën gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë ndaj tri të dyshuarave në çështjen e mungesës së 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës.
Sipas Prokurorisë, shuma monetare është tërhequr nga arka qendrore gjatë muajve prill dhe maj përmes veprimeve kontabël të kryera në kundërshtim me procedurat ligjore, pa u regjistruar si hyrje në degët e Shijakut dhe Krujës. Organi i akuzës ngriti dyshime edhe për përdorimin e mandatpagesave të falsifikuara, duke akuzuar ish-drejtoreshën e filialit të Postës në Durrës, Elisabeta Mataj, për përvetësimin e shumës.
Gjatë seancës, Prokuroria paraqiti si element hetimor edhe frekuentimin e kazinove nga Mataj dhe bashkëshorti i saj. Sipas të dhënave të paraqitura, ish-drejtoresha rezulton të ketë hyrë 340 herë në kazino, përfshirë edhe periudhën kur dyshohet se janë zhdukur fondet. Për këtë, janë administruar pamje filmike të hyrje-daljeve në dy kazino në Tiranë.
Mbrojtja e konsideroi këtë provë si cenim të jetës private, duke argumentuar se frekuentimi i ambienteve të lojërave të fatit nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen penale në shqyrtim.
Avokatët e Matajt kërkuan caktimin e një mase më të lehtë sigurie, duke theksuar se ajo është nënë e gjashtë fëmijëve dhe nuk paraqet rrezik për t’iu shmangur drejtësisë. Ata kundërshtuan gjithashtu pretendimet se klientja e tyre ishte larguar nga vendi për t’iu shmangur hetimeve, duke sqaruar se hyrja e saj në Shqipëri ishte kryer nga pika kufitare e Morinës, e cila, sipas marrëveshjeve me Kosovën, nuk pasqyrohet në sistemin TIMS.
Në mbrojtje u depozituan edhe dokumente që, sipas avokatëve, provojnë se Mataj kishte sinjalizuar prej muajsh parregullsi në sektorin e financës së filialit, kishte kërkuar kryerjen e kontrolleve dhe marrjen e masave disiplinore ndaj punonjëseve përgjegjëse, si dhe kishte informuar vazhdimisht Drejtorinë e Përgjithshme të Postës Shqiptare.
Nga ana tjetër, ish-shefja e financës, Valbona Duni, deklaroi para gjykatës se fondet janë marrë nga zyra e saj nga drejtoresha dhe nuk janë rikthyer më. Ndërsa arkëtarja Paola Dana mohoi të ketë përfituar para, duke deklaruar se çdo veprim financiar në filial kryhej vetëm me urdhrin e drejtoreshës.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Elisabeta Matajn, ndërsa për Valbona Dunin dhe Paola Danën caktoi masën “arrest në shtëpi”.
Lidhur me këtë ngjarje janë depozituar tre kallëzime penale: një nga Posta Shqiptare ndaj tri të dyshuarave, një nga Valbona Duni ndaj Elisabeta Matajt dhe një kallëzim nga vetë Mataj ndaj Dunit dhe Danës. Prokuroria pritet t’i bashkojë të tre kallëzimet në një procedim të vetëm hetimor.



