Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka reaguar lidhur me protestat e qytetarëve në vend, duke theksuar se kërkesat e tyre duhet të dëgjohen dhe të trajtohen me seriozitet institucional.
Në qëndrimin e tij publik, ISP vlerëson të drejtën kushtetuese për protestë paqësore dhe e konsideron pjesëmarrjen qytetare, veçanërisht të të rinjve, si shenjë të maturimit demokratik në Shqipëri.
Instituti shpreh shqetësim për gjuhën politike të përdorur nga nivelet e larta të politikës, përfshirë qeverinë, ministrat dhe përfaqësuesit e partive kryesore, duke e cilësuar shpeshherë si polarizuese dhe nxitëse të konfliktit social.
Sipas ISP, demokracia funksionon përmes dialogut institucional dhe besimit publik, dhe jo përmes etiketimit apo përjashtimit të mendimit ndryshe. Po ashtu, theksohet nevoja për distancim nga çdo formë ekstremizmi në diskursin publik.
Instituti vlerëson se institucionet kryesore, përfshirë Kuvendin dhe organet e drejtësisë, duhet të kenë rol më aktiv në trajtimin e shqetësimeve qytetare dhe në forcimin e llogaridhënies, veçanërisht në rastet e korrupsionit.
Në reagim, ISP nënvizon gjithashtu rëndësinë e rolit të Policise se Shtetit, duke kërkuar zbatim profesional dhe të paanshëm të ligjit, në respekt të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Në përfundim, ISP thekson se Shqipëria, si vend kandidat për BE, duhet të forcojë standardet demokratike, transparencën dhe kulturën e dialogut, duke ndërtuar një sistem politik që i shërben qytetarëve dhe interesit publik.



