back to top
26.9 C
Tirana
E shtunë, 6 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaNga offshore te oligarkët/ Malaj: Kapja e shtetit nis te parajsat fiskale

Nga offshore te oligarkët/ Malaj: Kapja e shtetit nis te parajsat fiskale

Ekonomisti dhe ish-ministri Arben Malaj ka publikuar një reagim të gjatë, ku ngre shqetësime për mënyrën e menaxhimit të pasurive natyrore, përdorimin e kompanive offshore dhe modelin ekonomik që, sipas tij, favorizon interesa të ngushta në dëm të interesit publik.

Në reagimin e tij, Malaj kundërshton vazhdimin e politikave favorizuese për investitorët strategjikë dhe kërkon rishikim të marrëdhënieve ekonomike me kompani që operojnë në juridiksione offshore.

“Jo më investime me status favorizues të ‘investitorëve strategjikë’, që veprojnë në parajsat fiskale dhe që për vite të tëra nuk paguajnë asnjë qindarkë në buxhetin e Shqipërisë dhe bashkive”, shprehet ai.

Sipas Malajt, Shqipëria duhet të ndërtojë një model më transparent zhvillimi, duke shmangur praktikat që, sipas tij, dobësojnë konkurrencën dhe të ardhurat publike.

Ai argumenton se edhe ekonomitë e mbështetura historikisht te burimet natyrore po përballen me sfida të mëdha.

“Edhe Arabisë Saudite po i shterojnë burimet nga pasuritë dhe burimet natyrore”, shkruan Malaj, duke argumentuar se modeli ekonomik shqiptar duhet të jetë më i qëndrueshëm.

Në reagimin e tij, ai kërkon, ndalimin e investimeve nga kompani që përdorin parajsat fiskale për favorizime tatimore; fundin e partneriteteve publike-private preferenciale dhe personale, që ai i cilëson si “5P”; moszgjatjen e kontratave ekzistuese për kompani që operojnë në juridiksione offshore; rihapjen për konkurrim ndërkombëtar të kontratave që përfundojnë; ndalimin e kompanive fantazmë pa eksperiencë teknologjike dhe financiare si dhe kufizimin e ndryshimeve të pronësisë dhe nënkontraktorëve pas fitimit të projekteve publike.

Malaj shprehet se nënkontraktorët e imponuar drejtpërdrejt ose tërthorazi përbëjnë sinjale alarmi për korrupsionin.

“Nënkontraktorët e imponuar direkt ose indirekt fituesve janë red flag, flamuj të kuq të korrupsionit dhe kapjes së shtetit”, shkruan ai.

Duke folur për parajsat fiskale, Malaj pranon se ato do të vazhdojnë të ekzistojnë, por argumenton se Shqipëria nuk është e detyruar të lidhë shfrytëzimin e pasurive të saj me kompani që funksionojnë përmes këtyre strukturave.

“Ne kurrë nuk na detyron askush që kompanitë shfrytëzuese të pasurive tona, jo të pafundme, t’i shfrytëzojnë barbarisht nga kompani që veprojnë brenda parajsave fiskale”, shkruan ai.

Sipas tij, juridiksionet offshore favorizojnë fshehjen e pronarëve realë, shmangien e transparencës dhe uljen e kontributit fiskal.

Ai paralajmëron se përdorimi i strukturave offshore mund të çojë në kapje të shtetit, deformim të konkurrencës dhe kriminalizim të ekonomisë.

“Pasuritë natyrore në vendet jo demokratike nuk janë bekim, por mallkim për qytetarët e tyre”, argumenton Malaj.

Në fund të reagimit, ai bën thirrje për mobilizim qytetar dhe protesta paqësore, duke theksuar se ato duhet të jenë të pandalshme, të papërçara dhe të pavarura nga ndikimet politike.

“Misioni është patriotik dhe fisnik: të mbrojmë të ardhmen e kombit shqiptar”, përfundon reagimi i tij.

Malaj argumenton se pa mbrojtjen e pasurive natyrore, ekonomike dhe shpirtërore, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend i pasur në burime, por i varfër në përfitime për qytetarët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat