Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me projektin e paralajmëruar për ndërtimin e një kulle 55-katëshe në zonën e Pallatit të Kongreseve, duke e lidhur atë me debatet dhe protestat e fundit për Zvërnecin.
Përmes një postimi publik, Çupi akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se po favorizojnë interesa private në dëm të hapësirave publike dhe trashëgimisë urbane.
“Në ditën kur protestat për Zvërnecin po fitonin mbështetje dhe zemërimi qytetar po rritej, Rama nxori në heshtje projektin për një kullë 55 kate në vend të Pallatit të Kongreseve. Një tjetër copë interes publik që i dorëzohet betonit”, shkruan ajo.
Sipas ish-deputetes demokrate, rastet e fundit tregojnë një model të përsëritur të vendimmarrjes, ku sipas saj, reagimi qytetar pasohet nga projekte që prekin hapësirat publike dhe zonat me rëndësi simbolike.
“Zvërneci është alarm, por shkatërrimi i hapësirave simbolike të Tiranës është po aq i rëndë. Shqipëria nuk po ndërtohet, po shkatërrohet”, shprehet Çupi.
Në fund të reagimit, ajo u bën thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mbrojnë, sipas saj, pasuritë publike dhe interesin qytetar.
“Ngrihuni, qytetarë! Të mbrojmë çfarë mundemi nga Shqipëria jonë. Heshtja sot do të thotë humbje nesër”, përfundon reagimi i saj në rrjetet sociale.



