back to top
19.5 C
Tirana
E enjte, 14 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKolaps i prodhimit të naftës në Patos-Marinëz/ Dogana ndërpret aktivitetin e Bankers

Kolaps i prodhimit të naftës në Patos-Marinëz/ Dogana ndërpret aktivitetin e Bankers

Kompania Bankers Petroleum Albania ka njoftuar se aktiviteti i saj prodhues dhe financiar në impiantin e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz është bllokuar në mënyrë arbitrare dhe jashtë procedurave ligjore, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.

Sipas njoftimit për media, vendimi i Doganës është marrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, përfshirë Vendimin e Përkohshëm Nr. 3869/2, datë 17.07.2019, afatin 5-vjeçar të parashkrimit (neni 102 i Ligjit për Akcizat) dhe nenet 11 dhe 51 të Ligjit për Akcizat.

Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e një pretenduar të akcizës për holluesin e naftës, produkt që sipas Bankers dhe legjislacionit shqiptar nuk i nënshtrohet akcizës, pasi nuk përdoret për konsum në territorin e Shqipërisë dhe nuk shërben për prodhimin e energjisë ose nxehtësisë.

Bankers thekson se ky bllokim ka çuar në kolaps të plotë të aktivitetit operativ, duke rrezikuar mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, jetën dhe pronën e banorëve të zonës, si dhe duke kërcënuar mijëra vende pune.

Sipas njoftimit, 420 punonjës të Bankers dhe rreth 5.000 punonjës të kompanive nënkontraktore dhe partnerëve të biznesit, përfshirë 1.300 punonjës të Albpetrol, rrezikojnë të mbeten pa punë. Po ashtu, rreth 12 km tubacione nafte, depozita, mbi 1.000 puse dhe impiante përpunimi, që janë në pronësi të shtetit dhe menaxhohen nga BPAL, rrezikojnë të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka dërguar një letër drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, ku nënvizohet se nxjerrja e naftës në vendburim duhet të zhvillohet 24/7, pasi nafta bruto, shumë viskoze dhe e rëndë, nëse ftohet, ngurtësohet në tubacione dhe depozita, duke u bërë e papërdorshme. AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur ndërprerjen e prodhimit.

Bankers thekson se dëmi ekonomik përbën një rrezik më të madh për shtetin shqiptar sesa për kompaninë, e cila vepron si operator i vendburimit, ndërsa pasuria e naftës mbetet pronë e popullit shqiptar.

Në përfundim, kompania paralajmëron se ndërprerja e operacioneve mund të ketë pasoja të pariparueshme për menaxhimin e vendburimit, duke përfshirë dëmtime të përhershme të puseve, tubacioneve dhe impianteve, si dhe humbje të mëdha ekonomike dhe sociale për rajonin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat