Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore i është drejtuar zyrtarisht OSBE/ODIHR-it, duke kërkuar caktimin e ekspertëve ndërkombëtarë që do të bëhen pjesë e grupit të punës për hartimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Në një shkresë drejtuar organizatës, bashkëkryetarët e Komisionit kërkojnë mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare për vijimin e procesit të reformës, trajtimin e çështjeve të mbetura pezull dhe përfshirjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në projektaktet që do të hartohen.
Kërkesa vjen pas vendimit të marrë në mbledhjen e Komisionit më 17 nëntor 2026, ku u ra dakord që organizatës t’i kërkohet caktimi i ekspertëve për t’iu bashkuar grupit të ekspertëve parlamentarë.
Në shkresë, bashkëkryetarët vlerësojnë bashkëpunimin e deritanishëm me OSBE/ODIHR-in dhe theksojnë se përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë do të ndihmojë në përgatitjen dhe finalizimin e ndryshimeve ligjore, në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
“Angazhimi i këtyre ekspertëve do të mbështesë vijimin dhe përmbylljen e punës së nisur, duke ndihmuar në trajtimin e çështjeve të mbetura dhe në reflektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, thuhet në letër.
Komisioni i ka kërkuar organizatës që të njoftojë emrat e ekspertëve që do të caktohen, në mënyrë që ata të përfshihen në veprimtarinë e grupit të punës.
Përfshirja e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it synon të mbështesë procesin e reformës zgjedhore, në një kohë kur mbetet për t’u trajtuar një sërë çështjesh të lidhura me përmirësimin e legjislacionit dhe reflektimin e rekomandimeve ndërkombëtare për zgjedhjet në Shqipëri.



