Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të mërkurë në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” në Berlin, me ftesë të kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Gjatë prononcimit për mediat, Rama e cilësoi takimin si një mundësi të rëndësishme për Europën, veçanërisht pas vendimit të marrë në Dublin për krijimin e një grupi përfaqësues që do të flasë në emër të kontinentit në një komunikim të mundshëm me Rusinë.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se mungesa e një përfaqësimi të përbashkët europian në raport me Moskën ka qenë një gabim strategjik, duke nënvizuar se tashmë ky proces ka rifilluar.
“Europa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Europën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim”, deklaroi Rama.
Ai u shpreh se në fillim kishte pasur disa komunikime, por më pas ato ishin ndërprerë. Sipas tij, tashmë dialogu po rifillon dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë ky zhvillim.
Gjatë takimit në Berlin, Rama u pyet edhe për takimin e zhvilluar në Pekin mes presidentëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin.
I pyetur se çfarë ndjente kur shihte tre liderët së bashku, kryeministri u përgjigj shkurt: “Përse duhet të kem ndjenja?”, duke mos dhënë një koment të drejtpërdrejtë për takimin mes tyre.
Pjesëmarrja e Ramës në takimin e Berlinit vjen në kuadër të diskutimeve për koordinimin e qëndrimeve europiane dhe zhvillimet e sigurisë në kontinent, veçanërisht për çështjen e luftës në Ukrainë dhe raportet e Europës me Rusinë.



