Drejtori i Institutit të Studimeve Politike (ISP), Afrim Krasniqi, ka reaguar pas procesit të zgjedhjeve për kryetar në Partinë Demokratike, duke vlerësuar se rezultati i këtij procesi nuk pritet të sjellë ndryshime në situatën brenda partisë apo në zhvillimet politike në vend.
Në një reagim publik, Krasniqi thekson se problemi nuk lidhet vetëm me procedurat formale që partitë politike aplikojnë, por me përpjekjen për t’i paraqitur ato si standarde demokratike, ndërkohë që mungojnë elementët bazë të funksionimit të një partie moderne.
Sipas tij, partitë shqiptare vazhdojnë të karakterizohen nga modeli i “partive të liderit”, pa anëtarësi të verifikueshme, pa struktura legjitime, pa demokraci të brendshme, transparencë dhe llogaridhënie.
“Modeli i partive lider pa anëtarësi të verifikueshme, pa struktura legjitime, pa demokraci të brendshme, pa transparencë dhe llogaridhënie, si dhe pa një sistem karriere të bazuar te meritat, idetë dhe konkurrenca, mbetet një prej trashëgimive negative të kulturës komuniste në Shqipëri dhe një nga defektet kryesore të tranzicionit”, shprehet Krasniqi.
Ai thekson se Shqipëria, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duhet të ndjekë standardet e partive politike europiane, ku vendimmarrja bazohet në konkurrencë, votim, rotacion dhe debat politik.
Krasniqi argumenton se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e një legjislacioni modern për partitë politike, i cili të rregullojë funksionimin, legjitimitetin, aktivitetin dhe financimin e tyre.
Sipas tij, miratimi i një ligji të ri integral për partitë politike, i shoqëruar me një reformë zgjedhore reale, do të ishte një hap i rëndësishëm për të dalë nga status quo-ja aktuale, që sipas tij prodhon parti fiktive, mungesë të politikës së vërtetë dhe përfaqësim jo cilësor në institucionet vendimmarrëse.



