Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar kundër ndërtimeve pa leje në Sarandë dhe Ksamil, aksion që ka çuar në goditjen e drejtuesve lokalë të policisë dhe në një “shkrirje” të strukturave të rendit në jug të vendit.
Në prangat e Agjencia e Mbikqyrjes Policore kanë rënë shefi i Komisariatit të Sarandës Gëzim Bashllari, si edhe tre inspektorë policie, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj.
Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe toleruar ndërtime pa leje në zonat më të lakmuara turistike të jugut, kryesisht në Sarandë dhe Ksamil.
Sipas hetimeve paraprake, efektivët dyshohet se kishin ngritur skema me qëllim përfitimi të paligjshëm dhe se kanë favorizuar ndërtime të lidhura me grupe kriminale që operojnë në territorin e Sarandës.
I gjithë operacioni nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policia e Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr.1 të Sarandës. Rasti çoi në arrestimin e tetë punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo.
Për ndërtimin pa leje, policia njoftoi strukturat e Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IMT-në dhe Policinë Bashkiake, të cilat ndërhynë për prishjen e objektit.
Sipas burimeve hetimore, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçaj, i cili mbeti i vrarë pas një shpërthimi me tritol në automjetin e tij në tetor 2025.
Hetuesit dyshojnë se pas atentatit qëndron një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale në Sarandë.
Në pronën që dyshohet se ishte marrë me forcë nga ky grup, po ndërtohej një beach bar që synohej të vihej në funksion gjatë sezonit turistik. Për lejimin e ndërtimit dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve lokalë të policisë.
Burime bëjnë me dije se ishte kryepolici Skënder Hita ai që njoftoi AMP-në, ndërsa më pas, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, nisën veprimet hetimore për të identifikuar përgjegjësitë e efektivëve që nuk kishin ndërhyrë për ndalimin e ndërtimit.
AMP ka ngritur ndaj të ndaluarve akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra të kryera në bashkëpunim dhe jo vetëm për këtë rast.
Pas aksionit, Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjësit e arrestuar dhe ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit.
Po ashtu është pezulluar edhe shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore të AMP-së.



