back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKarburantet shtrenjtohen sërish/ Qytetarët paguajnë çmimin e bordit

Karburantet shtrenjtohen sërish/ Qytetarët paguajnë çmimin e bordit

Vetëm një ditë pasi uli çmimet e karburanteve, Bordi i Transparencës ka vendosur sërish rritjen e tyre, duke krijuar paqartësi dhe kaos në tregun e naftës, ndërsa qytetarët përballen me kosto gjithnjë e më të larta.

Sipas vendimit të fundit të Bordit, nga ora 13:00 e ditës së sotme, nafta do të tregtohet me 202 lekë për litër, 4 lekë më shumë krahasuar me çmimin e miratuar në mbledhjen e mëparshme.

Ndërkohë, benzina është caktuar me 188 lekë për litër, duke shënuar një rritje prej 3 lekësh nga vendimi i fundit.

Luhatjet e shpeshta të çmimeve, brenda intervaleve shumë të shkurtra kohore, po krijojnë pasiguri si tek konsumatorët ashtu edhe tek operatorët e tregut, ndërsa ekspertët e ekonomisë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për mënyrën se si funksionon mekanizmi i Bordit të Transparencës.

Qytetarët shprehen se ndryshimet e vazhdueshme po rëndojnë drejtpërdrejt xhepat e tyre, në një kohë kur karburanti mbetet një nga faktorët kryesorë që ndikon në çmimet e produkteve dhe kostot e jetesës.

Në njoftimin zyrtar, Bordi bëri me dije se:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit do të jetë jo më shumë se 202 lekë/litër
  • Çmimi i benzinës do të jetë jo më shumë se 188 lekë/litër

Po ashtu, autoritetet paralajmëruan operatorët për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke theksuar se në rast shkeljesh do të ketë pezullim të aktivitetit.

Në fund të njoftimit, Bordi sqaroi se çmimet aktuale mbeten nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr.1 i datës 3 prill 2026, çka do të thotë se akciza mbi karburantet do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë 100%.

Megjithatë, për konsumatorët, luhatjet e përditshme të çmimeve po perceptohen gjithnjë e më shumë si një barrë shtesë ekonomike dhe një treg pa stabilitet.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat