Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, po shkon drejt fazës finale të ndërtimit, por në prag të përfundimit të punimeve është përfshirë nga një konflikt i fortë mes dy kompanive aksionare që kanë kontratën koncesionare me shtetin shqiptar.
Një situatë e pazakontë është regjistruar këtë të hënë në hyrje të kantierit të aeroportit, ku përfaqësues të kompanisë “2A Group”, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, nuk kanë lejuar hyrjen e punonjësve të kompanisë “Mabco” në ambientet e punës.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, në zonë ndodhen efektivë të Policisë së Shtetit, si edhe punonjës të sigurisë private të angazhuar nga kompania e Ademit. Për pasojë, dhjetëra punonjës kanë mbetur jashtë kantierit, pa mundur të nisin punën, ndërsa tensionet mes palëve janë rritur ndjeshëm.
Konflikti lidhet me strukturën aksionare të shoqërisë që zotëron koncesionin e aeroportit. Aktualisht, kompania “Mabco” zotëron 98 për qind të aksioneve, ndërsa “2A Group” ka vetëm 2 për qind. Megjithatë, përplasja ka lindur pas pretendimeve për një marrëveshje shitjeje aksionesh mes palëve.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se “2A Group” pretendon se në prill të vitit 2025 ka blerë rreth 47 për qind të kuotave të ortakut shumicë “Mabco”, bazuar në një kontratë shitblerjeje aksionesh. Sipas këtij pretendimi, kompania e Valon Ademit kërkon të ushtrojë të drejtat e saj si aksioner me peshë të konsiderueshme në projekt.
Por nga ana tjetër, “Mabco” e kundërshton kategorikisht vlefshmërinë e kësaj marrëveshjeje. Kompania deklaron se nuk ka firmosur asnjë kontratë për shitjen e aksioneve dhe se pretendimet e “2A Group” janë të pabazuara.
Pikërisht kjo përplasje juridike dhe financiare duket se ka sjellë tensionet e sotme në terren, duke rrezikuar ritmin e punimeve në një moment kyç për përfundimin e aeroportit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës konsiderohet një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në jug të Shqipërisë. Autoritetet kanë deklaruar më herët se punimet ndodhen në javët e fundit drejt përfundimit total, ndërsa aeroporti pritet të ketë rol të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve ajrore të vendit.
Megjithatë, konflikti i hapur mes aksionerëve mund të sjellë vonesa dhe pasoja ligjore, nëse palët nuk arrijnë një zgjidhje të shpejtë institucionale ose gjyqësore. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet shtetërore lidhur me situatën e krijuar në kantier.



