Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbrojtur veten dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, gjatë seancës së radhës gjyqësore ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë, duke deklaruar se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi vetëm për veprimet e tij individuale, ndërsa ka përjashtuar Kryemadhin nga çdo përgjegjësi lidhur me dosjen CEZ-DIA.
Gjatë fjalës së tij në sallën e gjyqit, Meta u shpreh se kushdo që ka firmosur apo ka kryer veprime të paligjshme në emër të ish-LSI-së për çështje financimi në Shtetet e Bashkuara, duhet të mbajë vetë përgjegjësi.
“Unë jam këtu të mbaj përgjegjësi për çdo veprim timin individual. Nuk jam as për të marrë e as për të dhënë. Unë mbaj përgjegjësi për të miat, znj. Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për CEZ-DIA”, deklaroi Meta në sallën e gjyqit.
Ish-presidenti hodhi akuza edhe ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke pretenduar se procesi ndaj tij po ndërtohet mbi fshehje provash, interpretime të gabuara dhe politizim të hetimit.
Meta u ndal gjatë te çështja e kontratës me kompaninë McKeon Group dhe pagesat e kryera në SHBA, duke këmbëngulur se ka ekzistuar vetëm një pagesë prej 15 mijë dollarësh, e miratuar sipas procedurave të partisë dhe e realizuar në mënyrë bankare.
“Jam shumë i revoltuar. Prokurori tha se pas hetimit me McKeon ka dalë që është vetëm një faturë 15 mijë USD. Që kur jam pyetur për këtë çështje, e kam bërë të qartë se kam pasur vetëm një pagesë 15 mijë USD, me vendim kryesie dhe përmes bankës”, u shpreh ai.
Sipas Metës, SPAK ka marrë informacione shtesë nga autoritetet amerikane pas arrestimit të tij, por këto të dhëna, sipas pretendimeve të tij, nuk i janë bërë të njohura mbrojtjes.
Ai deklaroi gjithashtu se dokumentacioni lidhur me kontratën e lobimit nuk përmban firmën e tij personale dhe se marrëveshja, sipas tij, është lidhur mes ish-LSI-së dhe kompanisë GSIS.
“Nuk ekziston në marrëveshjen me GSIS nënshkrim i Ilir Metës. Marrëveshja është mes LSI dhe GSIS”, deklaroi ai.
Në vijim të deklaratës, Meta akuzoi prokurorët për fshehje të provave dhe tentativë për politizim të procesit penal.
“Ka tendencë për politizim të procesit. Kur s’ke fakte, do e bësh politike”, tha ai.
Ish-kreu i shtetit kundërshtoi gjithashtu elementë të dosjes që lidhen me dëshmi dhe referenca të përfshira në hetim, duke pretenduar se disa prej tyre janë përdorur për të ndikuar opinionin publik dhe jo për të provuar akuza konkrete.
Procesi ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe personave të tjerë vijon në Gjykatën e Posaçme, ndërsa SPAK i akuzon për disa episode që lidhen me korrupsionin, financimet dhe deklarimin e pasurisë. Nga ana tjetër, të pandehurit i kanë mohuar akuzat dhe i konsiderojnë hetimet të motivuara politikisht.



