Analisti dhe politologu Afrim Krasniqi ka kërkuar më shumë transparencë nga institucionet qendrore dhe vendore lidhur me proceset e vendimmarrjes për investimet strategjike dhe projektet zhvillimore në zonat bregdetare të vendit.
Përmes një reagimi publik, Krasniqi i bëri thirrje kryeministrit, qeverisë dhe kryetarëve të bashkive që të publikojnë procesverbalet e takimeve formale dhe informale që, sipas tij, janë zhvilluar ndër vite në lidhje me projektet strategjike dhe zhvillimin urban.
“Nëse Kryeministri, qeveria, bashkitë, etj, nuk kanë asgjë për të fshehur, le të publikojnë procesverbalet e bisedimeve formale dhe informale që kanë zhvilluar në qeveri, në takimet në Vlorë, Sarandë dhe Durrës, në takimet në anije, në takimet në Crans-Montana, në takimet në Sheraton, në Katar, në Greqi, në Turqi dhe vende të tjera”, shprehet Krasniqi.
Politologu e lidh kërkesën e tij me debatet e fundit mbi zhvillimin e zonave bregdetare, veçanërisht në jug të vendit, duke argumentuar se për vendime me ndikim publik duhet të ekzistojë transparencë më e madhe institucionale.
Sipas tij, për çështje që lidhen me Vlorën, bregdetin dhe investimet strategjike, vendimmarrjet duket se janë ndikuar nga komunikime personale dhe procese jo të formalizuara plotësisht.
“Për Vlorën, për të gjithë zonën e bregdetit, si dhe për të gjitha ‘investimet strategjike’ dhe kullat e larta, vendimet de facto duket se janë marrë përmes komunikimeve personale dhe devijim nga rruga ligjore”, deklaron ai.
Duke iu referuar kuadrit ligjor për funksionimin e administratës publike, Krasniqi argumenton se zyrtarët publikë kanë detyrimin të dokumentojnë dhe arkivojnë komunikimet zyrtare të zhvilluara në emër të institucioneve shtetërore.
Në reagimin e tij, ai kërkoi gjithashtu publikimin e të dhënave mbi lidhjet e mundshme mes biznesmenëve të përfshirë në projektet strategjike dhe financimeve elektorale.
“Po ashtu, le të publikohen edhe të dhënat se cilët nga biznesmenët e përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në këto procese kanë qenë pjesë e financimeve elektorale. Kjo, po, do të ishte një shenjë reale transparence”, përfundon Krasniqi.
Deklaratat e analistit vijnë në një kohë kur debatet mbi projektet zhvillimore në bregdet dhe raportin mes investimeve, transparencës dhe interesit publik vijojnë të mbeten në qendër të diskutimeve publike.



