KreuAktualitetPolitikaKush ngeli nga Rithemelimi?/ Murrizi “godet” Berishën pas zgjedhjeve në PD

Kush ngeli nga Rithemelimi?/ Murrizi “godet” Berishën pas zgjedhjeve në PD

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Muslim Murrizi, ka reaguar ashpër pas zgjedhjeve për postet drejtuese në Partinë Demokratike, ku Flamur Noka u rikonfirmua në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murrizi akuzon drejtuesit e PD-së se procesi ishte formal dhe pa garë reale, duke pretenduar se disa prej kandidatëve pranuan të kandidonin vetëm për t’i bërë qejfin kryetarit të partisë, Sali Berisha.

Sipas tij, e vetmja garë e vërtetë ishte ajo mes Belind Këlliçit dhe Luçiano Boçit për postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike, e cila, sipas Murrizit, ishte organizuar me qëllim largimin e Boçit nga drejtimi i partisë.

“Pas largimit të Luçiano Boçit, tani nga Rithemelimi ka ngelur vetëm Berisha dhe Muli”, shkruan Murrizi.

Ai kritikon gjithashtu përbërjen e ekipit të ri drejtues, duke pretenduar se shumë prej figurave të promovuara kanë qenë më parë pjesë e grupimit të Lulzim Bashës dhe se nuk kanë pasur kontribute të rëndësishme në Partinë Demokratike.

Në reagimin e tij, ish-deputeti demokrat shprehet se misioni i shndërrimit të “Rithemelimit” në “Rikthim” është përmbyllur me sukses, duke e cilësuar atë si “dora e tretë e PD-së së Bashës”.

Murrizi ironizon edhe termin “ripërtëritje” të përdorur nga drejtuesit demokratë për ekipin e ri, duke thënë se ajo që po prezantohet si një frymë e re politike nuk është gjë tjetër veçse “ripërtypje” e konflikteve dhe deklaratave të viteve të fundit brenda Partisë Demokratike.

Ai thekson se Partia Demokratike nuk po vlerëson kandidatët që kanë marrë mbështetje nga qytetarët në zgjedhje, por po promovon figura që, sipas tij, gëzojnë vetëm mbështetjen e drejtuesve të partisë.

Në fund të reagimit të tij, Murrizi shprehet skeptik për suksesin politik të ekipit të ri drejtues të PD-së, duke deklaruar se koha do të tregojë vlerën e tij përballë qytetarëve, ndërsa shton se pas 16 vitesh në opozitë, demokratët nuk mund të bindin më elektoratin me slogane politike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat