Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Partia Demokratike kundërshton përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Përmes një kërkese zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PD kërkon që të mos miratohet propozimi për përdorimin e kësaj teknologjie, duke argumentuar se ajo nuk garanton parandalimin e votimit të dyfishtë.
Kërkesa është paraqitur nga përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Marash Logu, i cili ka vënë në dyshim efektivitetin e pajisjeve elektronike të identifikimit, duke iu referuar raporteve zyrtare të vetë institucionit.
Sipas demokratëve, këto pajisje nuk kanë arritur të parandalojnë rastet e votimit të shumëfishtë, ndërsa si argument për qëndrimin e tyre përmendin një rast të raportuar nga KQZ, ku një qytetar dyshohet se ka votuar me 27 karta të ndryshme identiteti, duke përdorur të njëjtën shenjë gishti.
Në kërkesën drejtuar KQZ-së, PD shprehet:
“Partia Demokratike është kundër identifikimit elektronik të zgjedhësve në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027 dhe i kërkon komisionit të mos e miratojë propozimin për miratimin e identifikimit elektronik. Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raportet zyrtare që kanë hartuar, kanë dëshmuar se nuk parandalohet votimi i dyfishtë dhe i shumëfishtë.”
Demokratët kërkojnë që KQZ të mos miratojë përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe besueshmërinë e procesit të identifikimit të votuesve.



