KreuAktualitetPolitikaUrdhri nga qelia nuk zbatohet/ Përplasja Ristani-Dokushi shkon në Prokurori

Urdhri nga qelia nuk zbatohet/ Përplasja Ristani-Dokushi shkon në Prokurori

Një përplasje e re është shfaqur në Bashkinë e Tiranës, këtë herë mes drejtueses së komanduar të institucionit, Anuela Ristanit, dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Alban Dokushi.

 Mësohet se, konflikti nisi pas vendimit të gjykatës për rikthimin e Dokushit në detyrë, si dhe pas urdhrit të firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj nga qelia, për zbatimin e këtij vendimi.

Dokushi është paraqitur në Bashkinë e Tiranës për të rimarrë funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm, por ka hasur në refuzimin e drejtueses së komanduar. Anuela Ristani nuk ka zbatuar rikthimin e tij në postin e mëparshëm, ndërsa e ka emëruar në një detyrë tjetër drejtuese brenda strukturave të bashkisë.

Ky vendim ka sjellë reagimin e Dokushit, i cili i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim ndaj Ristanit. Në kallëzim kërkohet hetim për dyshimet për shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor.

Alban Dokushi ishte larguar nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm më shumë se një vit më parë, menjëherë pas arrestimit të Erion Veliajt. Ai e kundërshtoi shkarkimin në gjykatë, e cila e konsideroi të paligjshëm vendimin dhe urdhëroi rikthimin e tij në detyrë.

Pas këtij vendimi, Veliaj, ndonëse ndodhet në qeli, firmosi urdhrin për rikthimin e Dokushit në postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Megjithatë, zbatimi i urdhrit është refuzuar nga Anuela Ristani, e cila aktualisht drejton Bashkinë e Tiranës.

Ristani u komandua në krye të bashkisë pas vendimit të kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi se në kushtet kur Veliaj nuk mund të ushtronte funksionin për shkak të qëndrimit në paraburgim, institucioni kishte nevojë për një drejtues aktiv.

Përplasja e fundit në Bashkinë e Tiranës ka hapur pikëpyetje mbi autoritetin real vendimmarrës brenda institucionit dhe zbatimin e urdhrave të kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë kohës që ai nuk mund të ushtrojë funksionet e tij.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat