KreuDrejtësiaDosja “Partizani”/ Si e justifikon firmën e tij, Bamir Topi?

Dosja “Partizani”/ Si e justifikon firmën e tij, Bamir Topi?

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka folur për mediat pak pas dëshmisë së tij në lidhje me dosjen “Partizani”, duke këmbëngulur se institucioni i Presidencës nuk kishte kompetencë për procesin e privatizimit të pronës që është në qendër të hetimit.

Topi sqaroi se çështja lidhej me një periudhë reformash të rëndësishme, ku sipas tij përfshiheshin disa institucione dhe ekspertizë ndërkombëtare, në kuadër edhe të përgatitjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.

“Reformat kishin tre dimensione: politik, ku përfshihej qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes, si dhe pjesa e ekspertizës. Në një procedurë zyrtare vinin për të marrë firmën e Presidentit. Kjo është një çështje që është në gjykim, por mund të them qartë se privatizimi i pronave nuk ka qenë kompetencë e Presidentit”, deklaroi Topi.

Ish-kreu i shtetit e përsëriti këtë qëndrim edhe gjatë dëshmisë së dhënë para gjykatës, ku tha se nuk kishte pasur rol vendimmarrës në procesin që lidhet me pronën e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, çështje për të cilën po hetohen ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Në fund të prononcimit të tij, Topi foli edhe për alternativat që mund të kishte një pronë pas daljes nga plani i përhapjes ushtarake. Sipas tij, ajo mund të mbetej pronë shtetërore, t’i kalonte pushtetit vendor ose të ndiqte procedurat për privatizim.

“Një pronë që del nga plani i përhapjes konsiderohet pronë shtetërore. Më pas mund të qëndrojë në pronësi të shtetit, mund të transferohet te bashkia ose mund të hyjë në procedurën e privatizimit. Se si zhvillohet ky proces, nuk është çështje që më takon mua”, u shpreh Bamir Topi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat