Ka shkuar në pesë numri i të lënduarve nga zjarri i fuqishëm që ka përfshirë një pallat në zonën e “Farmacia 10” në Tiranë. Mes të plagosurve janë dy qytetarë dhe tre zjarrfikës.
Situata në vendngjarje paraqitet kritike, pasi flakët janë përhapur me shpejtësi duke vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në disa raste, banorët janë evakuuar me shkallë nga ekipet e shpëtimit, ndërsa operacioni është bërë edhe më i rrezikshëm për shkak të rënies së inerteve nga katet e sipërme.
Për të vënë nën kontroll zjarrin, në ndihmë të forcave në terren janë angazhuar edhe helikopterë nga Ministria e Brendshme, të cilët po ndërhyjnë nga ajri duke hedhur ujë për të frenuar përhapjen e flakëve.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Nga pamjet paraprake dyshohet se flakët kanë përfshirë fillimisht fasadën e pallatit, një ndërtim i ri në këtë zonë.
Në pak minuta, zjarri mori përmasa të mëdha, ndërsa shtëllungat e dendura të tymit janë parë edhe nga distanca të largëta.



