back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetPolicia paralajmëron PD/ “Bllokimi i rrugëve është vepër penale”

Policia paralajmëron PD/ “Bllokimi i rrugëve është vepër penale”

Policia e Shtetit e ka paralajmëruar  Partinë Demokratike se bllokimi i rrugëve është vepër penale.

Me anë të një njoftimi në rrjete sociale, thuhet se policia do të garantojë të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Leja në Polici, nga PD për të protestuar është marrë në harkun kohor, 17.00 deri në 20.00.

Ndër të tjera Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që do të udhëtojnë për në Rinas, të nisen para orës 17.00.

Njoftimi i plotë:

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 29.10.2024, në disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.

Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigjje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Gjithashtu, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit, me qëllim daljen jashtë vendit, duhet që për shkak të trafikut që mund të krijohet, të arrijnë në aeroport para orës 17:00, ose të përdorin rrugët alternative për të mbërritur në kohë.

Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat