back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 3 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaPrishtina shpall gjendje të jashtëzakonshme nga mbeturinat

Prishtina shpall gjendje të jashtëzakonshme nga mbeturinat

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

Në një konferencë për media, të hënën, ai ka thënë se kompania rajonale publike “Pastrimi”, e cila aktualisht është kompania e vetme e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, nuk është treguar efikase në këtë detyrë.

“Do të vazhdojmë që gjendjen emergjente që e kemi shpallur, ta përdorim për angazhimin e kompanive private për të ndihmuar për pastrimin e mirëfilltë të kryeqytetit”, ka thënë Rama.

Mbeturina edhe jashtë kontejnerëve, Prishtinë, 3 shkurt 2025.
Mbeturina edhe jashtë kontejnerëve, Prishtinë, 3 shkurt 2025.

Gjatë vitit 2024, Komuna po ashtu kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe përkohësisht kishte angazhuar operatorë privatë shtesë për të bërë grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.

Por, sipas Ramës, një angazhim më afatgjatë ishte pamundësuar nga asamblistët opozitarë në Komunë me miratimin e një rregulloreje, e cila “i dha ndërmarrjes “Pastrimi” të drejtën ekskluzive për këtë shërbim”.

Kontejnerët nuk i zënë mbeturinat... Prishtinë, 3 shkurt 2025.
Kontejnerët nuk i zënë mbeturinat… Prishtinë, 3 shkurt 2025.

Gjithashtu, gjatë vitit 2024, punëtorë të kompanisë “Pastrimi” ishin ankuar dhe kishin protestuar para Komunës, kundër angazhimit të kompanive private që, sipas tyre, paraqet rrezik për falimentimin e tyre.

Kompania “Pastrimi” është ndërmarrje publike lokale me rreth 900 punëtorë, e cila kryen shërbime për grumbullimin e mbeturinave për disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën.

Petrit Reçica, kryeshef i kompanisë “Pastrimi”, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve komunalë, duke mohuar kritikat se kompania që e udhëheq nuk po e kryen punën si duhet.

“Ne po punojmë pa pushim 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida, dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim, që Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat”, ka shkruar Reçica në Facebook.

Ai e ka akuzuar udhëheqësinë e Komunës se përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme po mundohet të angazhojë kompani të caktuara për këtë shërbim.

“Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike”, ka shkruar Reçica.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, po ashtu, ka thënë se situata aktuale ”e tejkeqësuar” i ka detyruar të shpallin sërish gjendje të jashtëzakonshme.

“Kompania “Pastrimi” me logjistikën që ka pasur, nuk ka pasur mundësi t’u ofrojë qytetarëve as kontejnerët, as mekanizmin e duhur për bartjen e mbeturinave”, ka theksuar ai.

Mbeturinat e shpërndara gjithandej. Prishtinë, 3 shkurt 2025.
Mbeturinat e shpërndara gjithandej. Prishtinë, 3 shkurt 2025.

Sipas komunës, një ekip i krijuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe “ka konstatuar situatë alarmante, me rrezik të madh përhapjeje epidemish”.

Ndërmarrjet publike të angazhuara për menaxhimin e mbeturinave nëpër Kosovë shpesh përballen me mungesë kapacitetesh si pasojë edhe e vështirësisë për inkasimin e borxheve nga qytetarët.

Punëtorë të këtyre ndërmarrjeve shpesh kanë protestuar, madje kanë mbajtur edhe greva në lidhje me kushtet e punës dhe pagat e ulëta./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat