Pas një procesi të gjatë verifikimi administrativ dhe ligjor që zgjati gati dy vjet, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), e drejtuar në atë kohë nga Drejtoresha e Përgjithshme Justina Boriçi, ka përfunduar vlerësimin ligjor për një nga çështjet më të debatueshme të pronave në Gjirin e Vlorës, duke propozuar shpalljen absolutisht të pavlefshëm të Vendimit nr. 58, datë 08.01.1997 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP) Vlorë, me të cilin shtetasi Leko Hodaj ishte kompensuar fizikisht me 11,025 metra katrorë truall në territorin e ish-Uzinës së Sodës PVC.
Vlerësimi ligjor u hartua më 20 mars 2007 nga grupi i punës i përbërë nga juristët Bledar Dervishaj dhe Drini Çano, si dhe inxhinierja Eglantina Rizvanolli, nën mbikëqyrjen e Shefit të Sektorit të Apelimit, Ridvan Shkëmbi. Raporti iu paraqit për miratim Drejtoreshës së Përgjithshme Justina Boriçi. Sipas dokumentit, vendimi i vitit 1997 ishte marrë në kundërshtim me ligjin, në kapërcim të kompetencave të organit që e kishte nxjerrë dhe pa respektuar procedurat e detyrueshme të kompensimit fizik të ish-pronarëve, shkruan “E Vërteta.al.
Si nisi çështja
Objekt i shqyrtimit ishte Vendimi nr. 58, datë 08 janar 1997, përmes të cilit KKKP Vlorë kompensoi fizikisht me truall shtetasin Leko Hodaj me një sipërfaqe prej 11,025 m² në Gjirin e Vlorës. Pasuria ndodhej në territorin e ish-Uzinës së Sodës PVC, në një zonë të konsideruar strategjike për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe të bregdetit të Vlorës
Pasuria u regjistrua në Hipotekën e Vlorës më 23 nëntor 1998, duke kaluar zyrtarisht në pronësi të përfituesit.
Koncesioni që solli përplasjen
Situata mori një tjetër dimension pas miratimit të projektit për ndërtimin e terminalit bregdetar të depozitimit të naftës në Gjirin e Vlorës.
Më 13 maj 2004, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi marrëveshjen koncesionare me kompaninë italiane “La Petrolifera Italo-Rumena”, duke i hapur rrugë ndërtimit të një terminali energjetik në zonën e Gjirit të Vlorës. Për realizimin e projektit, shteti shqiptar duhej t’i vinte në dispozicion koncesionarit një sipërfaqe prej 183,000 metrash katrorë truall.
Më 11 shkurt 2005, Këshilli i Ministrave miratoi regjistrimin e kësaj sipërfaqeje në emër të Republikës së Shqipërisë. Gjatë procesit të regjistrimit u konstatua se një pjesë e territorit përfshinte prona të regjistruara më herët në favor të individëve privatë, bazuar në gjashtë vendime të KKKP Vlorë të vitit 1997, ndër to edhe vendimin në favor të Leko Hodajt.
Përplasja krijoi vështirësi në zbatimin e kontratës koncesionare dhe solli pasoja ligjore për shtetin shqiptar. Sipas dokumentit, konflikti mbi pronësinë e truallit u bë pjesë e pretendimeve të ngritura në arbitrazhin ndërkombëtar nga kompania koncesionare.
Bashkia Vlorë dhe Avokatura e Shtetit kërkojnë anulimin
Përballë kësaj situate, Shpëtim Gjika, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Vlorë, paraqiti më 13 prill 2005 kërkesën për rishikimin dhe anulimin e vendimit nr. 58. Ankesa u regjistrua zyrtarisht më 14 prill 2005 në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Sipas Bashkisë Vlorë, vendimi cenonte interesat pasurore të shtetit dhe pengonte realizimin e projektit strategjik të terminalit energjetik në Gjirin e Vlorës. Për disa vite ankimi mbeti pa u shqyrtuar.
Më 9 mars 2007, edhe Artan Kodheli, në cilësinë e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, si dhe Avenir Peka, Sekretar i Përgjithshëm i Avokaturës së Shtetit, depozituan një ankim të veçantë pranë AKKP-së, duke kërkuar shfuqizimin e gjashtë vendimeve të KKKP Vlorë, mes tyre edhe vendimin nr. 58 në favor të Leko Hodajt.
Në argumentimin e tyre, drejtuesit e Avokaturës së Shtetit theksuan se këto vendime kishin krijuar pengesa serioze për përmbushjen e detyrimeve të shtetit shqiptar ndaj koncesionarit dhe po sillnin pasoja financiare në arbitrazhin ndërkombëtar.
Dosja e djegur dhe mungesa e dokumenteve
Gjatë hetimit administrativ të kryer nga grupi i punës i përbërë nga Bledar Dervishaj, Drini Çano dhe Eglantina Rizvanolli, AKKP hasi vështirësi të shumta në sigurimin e dokumentacionit origjinal.
Me shkresën nr. 1336 prot., datë 08.06.2006, Komisioni Vendor i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë konfirmoi se dosja nr. 69 në emër të Leko Hodajt ekzistonte në regjistra, por rezultonte e djegur.
Më 13 mars 2007, pas kërkesave zyrtare të AKKP-së, Zyra Rajonale e Agjencisë në Vlorë njoftoi se në arkivën e saj nuk figuronin dosje të hapura në emër të Leko Hodajt dhe përfituesve të tjerë, ndërsa në regjistrat e periudhës nuk rezultonin vendime të marra në datën 8 janar 1997.
Sipas ekspertëve të AKKP-së, këto rrethana krijonin dyshime serioze mbi mënyrën e nxjerrjes së vendimit dhe mbi vlefshmërinë e tij juridike.
Shkeljet e konstatuara nga ekspertët e AKKP-së
Pas analizës së dokumentacionit të administruar gjatë hetimit, juristët Bledar Dervishaj dhe Drini Çano, së bashku me inxhinieren Eglantina Rizvanolli, konstatuan një sërë shkeljesh të rënda ligjore dhe procedurale.
Sipas raportit, kompensimi fizik me truall nuk duhej të jepej nga KKKP Vlorë, por nga Komisioni i Kompensimit Fizik (KKF), organ i posaçëm i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo do të thotë se organi që kishte nxjerrë vendimin kishte vepruar jashtë kompetencave të tij ligjore.
Ekspertët evidentuan gjithashtu se nuk ekzistonte një vendim paraprak për njohjen e pronësisë së subjektit, mungonin studimet urbanistike të miratuara për zonën ku ishte kryer kompensimi, sipërfaqja e përfituar tejkalonte kufirin maksimal të lejuar nga ligji, nuk ishte respektuar procedura e kompensimit në dy faza dhe nuk ishte zhvilluar shorti i detyrueshëm për ndarjen e parcelave. Po ashtu, përllogaritjet financiare rezultonin të kryera me çmime të pasakta, ndërsa skica topografike nuk përputhej me sipërfaqen e deklaruar në vendim.
Një tjetër element që ngriti dyshime ishte edhe renditja kronologjike e vendimeve. Sipas raportit të hartuar nga grupi i ekspertëve të AKKP-së, vendimi nr. 58 mban datën 08.01.1997, ndërkohë që vendime me numra më të ulët rezultojnë të jenë marrë në një periudhë të mëvonshme.
Vendimi konsiderohet absolutisht i pavlefshëm
Në përfundim të analizës, grupi i punës i AKKP-së i përbërë nga Bledar Dervishaj, Drini Çano dhe Eglantina Rizvanolli, nën mbikëqyrjen e Ridvan Shkëmbit, arriti në konkluzionin se Vendimi nr. 58 i KKKP Vlorë ishte nxjerrë në kundërshtim të hapur me ligjin, në kapërcim të kompetencave dhe pa respektuar procedurat e detyrueshme administrative. Për këtë arsye ai konsiderohej një akt absolutisht i pavlefshëm që nuk mund të prodhonte pasoja juridike.
Në raportin e datës 20 mars 2007, të paraqitur për miratim Drejtoreshës së Përgjithshme të AKKP-së, Justina Boriçi, ekspertët propozuan konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit nr. 58, datë 08.01.1997 të KKKP Vlorë, dhënë në favor të Leko Hodajt, si dhe rivendosjen e të drejtave të shkelura. Me këtë vlerësim ligjor mbyllej një proces shqyrtimi që kishte nisur me ankesën e Bashkisë Vlorë në prill 2005 dhe ishte përforcuar nga ndërhyrja e Avokaturës së Shtetit në mars 2007./ E Vërteta.al



