KreuAktualitetPolitikaVideo-Dita e 10-të e protestës/ Protestuesit kërkojnë largimin e Ramës, akuza edhe...

Video-Dita e 10-të e protestës/ Protestuesit kërkojnë largimin e Ramës, akuza edhe PD-së

Qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur edhe këtë të martë në sheshin “Skënderbej”, duke vijuar protestën e nisur prej 10 ditësh kundër zhvillimeve që lidhen me zonat e mbrojtura, por edhe ndaj problematikave të tjera që, sipas tyre, prekin interesin publik.

Tubimi nisi në qendër të Tiranës, ku protestuesit shpalosën pankarta dhe hodhën thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi. Mes sloganeve më të dëgjuara ishin “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, duke synuar të shprehin pakënaqësinë e tyre si ndaj mazhorancës ashtu edhe ndaj opozitës.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta nuk lidhet vetëm me kundërshtimin e ndryshimeve në zonat e mbrojtura apo projektet e debatueshme në bregdet, por edhe me kërkesën për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit janë nisur në marshim përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur më pas përpara godinës së Kryeministrisë, ku pritet të vijojë tubimi dhe fjalimet e aktivistëve.

Që në momentet e para të protestës nuk kanë munguar kritikat ndaj opozitës, të cilën disa prej pjesëmarrësve e akuzuan se nuk ka përmbushur rolin e saj si forcë kontrolluese e qeverisë.

Një nga aktivistët e pranishëm u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë gjatë protestës, ndërsa deklaroi se lëvizja qytetare po tejkalon përkatësitë politike.

“Sa më shumë flamuj amerikanë që ta marrë vesh bota se kjo protestë shkon përtej interesave politike. Është për të gjitha hallet që ka populli shqiptar. Të gjithë ju duhet të ruani qetësinë, sepse politikanët i ka kapur paniku. Edhe opozita po përdor njerëz për shantazhe. Opozita ka humbur shansin e fundit për t’u vetëpastruar”, u shpreh ai.

Protesta e ditës së dhjetë vjen në një moment kur debatet për projektet në zonat e mbrojtura, zhvillimin e investimeve strategjike dhe menaxhimin e pasurive natyrore kanë zënë një vend të rëndësishëm në diskutimin publik. Organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar reagim institucional ndaj shqetësimeve të ngritura prej tyre.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit gjatë marshimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat