Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjerësisht lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec dhe pasqyrimin e tyre në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, duke akuzuar për krijimin e një “histerie dixhitale” dhe shtrembërim të realitetit.
Në një reagim të gjatë publik, Rama tha se protesta e zhvilluar sot ka mbledhur rreth 2 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas tij, edhe në kulmin e saj pjesëmarrja nuk ka kaluar 8 mijë persona.
“Si është e mundur që ajo që pjesa më e madhe e botës ka parë gjatë ditëve të kaluara duket kaq e madhe, kaq dramatike, kaq dërrmuese?”, shtron pyetjen kryeministri, duke argumentuar se ekziston një hendek i madh mes realitetit në terren dhe perceptimit të krijuar online.
Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston ende një projekt final për zonën në fjalë dhe se nuk ka leje ndërtimi apo nisje punimesh.
“Sot nuk ka ende projekt përfundimtar, nuk ka leje ndërtimi dhe nuk ka ndërtim. Ekziston vetëm një vizion për ta transformuar Shqipërinë në një destinacion të turizmit të nivelit të lartë”, theksoi ai.
Kreu i qeverisë mbrojti vizionin për zhvillimin turistik, duke pretenduar se koncepti aktual synon jo vetëm investime ekonomike, por edhe përmirësime mjedisore dhe rritje të sipërfaqeve të gjelbra dhe biodiversitetit.
Në reagimin e tij, Rama ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si, sipas tij, është amplifikuar debati online, duke folur për profile anonime, llogari të reja në rrjetet sociale, përmbajtje të manipuluar dhe elementë që ai i krahasoi me forma të “luftës hibride të informacionit”.
Ai kritikoi gjithashtu mediat ndërkombëtare dhe platformat sociale për mënyrën e trajtimit të çështjes, duke pretenduar se në shumë raste janë përzier elementë të ndryshëm të debatit publik dhe janë paraqitur si fakte çështje që ende mbeten në nivel diskutimi.
Sipas Ramës, debati publik, kritikat dhe shqetësimet mjedisore janë legjitime, por ai argumenton se zëvendësimi i fakteve me supozime dhe spekulime rrezikon të dëmtojë besimin te institucionet demokratike.
Në përfundim të reagimit të tij, kryeministri tha se Shqipëria do të vijojë projektet për zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë dhe paralajmëroi se sfida më e madhe për demokracitë moderne mbetet përballja me manipulimin informativ dhe ndikimin e algoritmeve në debatin publik.



