back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 4 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëNga gjobat te tragjedia/ Zinxhiri i shkeljeve që solli dy viktima

Nga gjobat te tragjedia/ Zinxhiri i shkeljeve që solli dy viktima

Aksidenti i rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, ka hapur një debat të fortë publik mbi përgjegjësinë institucionale dhe efikasitetin e masave parandaluese të Policisë Rrugore.

Sipas të dhënave zyrtare, drejtuesi i automjetit, Nikoll Radaci, rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Testet e alkoolit treguan nivele të larta, ndërsa pas ngjarjes ai u arrestua nga Policia e Durrësit. Për më tepër, nga verifikimet rezulton se ai kishte një histori të mëparshme shkeljesh rrugore, përfshirë parakalim të gabuar në vitin 2020 dhe dy raste tejkalimi shpejtësie në vitin 2022, ku i ishte pezulluar përkohësisht leja e drejtimit.

Këto të dhëna kanë ngritur pyetjen thelbësore, se a duhej që ky drejtues të ishte ende në timon?

Rasti nxjerr në pah një problem të njohur në sistemin e sigurisë rrugore, si natyra e masave administrative ndaj shkelësve të përsëritur. Në këtë rast, ndëshkimet e mëparshme kanë qenë relativisht të lehta, gjobë dhe pezullim i përkohshëm, pa çuar në masa më të ashpra si heqje afatgjatë e lejes së drejtimit apo ndjekje më e thelluar e rrezikshmërisë së drejtuesit.

Kjo ngre një tjetër debat se a ka funksionuar sistemi i monitorimit të drejtuesve problematikë? Në praktikë, shumë shkelje rrugore trajtohen në mënyrë të izoluar, pa krijuar një profil të rrezikut të përsëritur që mund të çonte në masa më të forta parandaluese.

Rasti i Durrësit ka rikthyer në vëmendje një pyetje të rëndësishme për sistemin se a mjaftojnë gjobat dhe pezullimet afatshkurtra për të parandaluar drejtuesit problematikë, apo nevojitet një qasje më e rreptë dhe sistem më i integruar i kontrollit?

Policia injoron denoncimet

Megjithatë, përtej përgjegjësisë individuale të drejtuesit të mjetit, vëmendja është përqendruar edhe te kushtet në zonën ku ndodhi aksidenti.

Banorë të lagjes ku u regjistrua ngjarja kanë deklaruar se prej kohësh kanë denoncuar në polici raste të përsëritura të garave me automjete dhe qarkullimit me shpejtësi të lartë në zonë. Sipas tyre, denoncimet janë shoqëruar edhe me pamje filmike, por nuk është marrë asnjë masë konkrete për parandalimin e situatës.

Ata shprehen gjithashtu se zona ku ndodhi aksidenti nuk ka sinjalistikë të plotë rrugore, pavarësisht mbipopullimit dhe pranisë së fëmijëve që lëvizin në rrugë. Mungesa e tabelave paralajmëruese, kufizimeve të shpejtësisë dhe elementëve të sigurisë rrugore, sipas banorëve, ka krijuar një mjedis të rrezikshëm për qarkullimin.

Në këtë kontekst, rasti po ngre një debat më të gjerë mbi përgjegjësinë institucionale. Sipas banorëve dhe zërave kritikë, problemi nuk kufizohet vetëm te drejtuesi i automjetit, por edhe te mungesa e ndërhyrjes parandaluese në një zonë të njohur për rrezikshmëri..

Në këtë kuadër, ngrihet edhe një tjetër pikëpyetje, nëse denoncimet e banorëve dhe sinjalizimet për shpejtësi dhe garat në rrugë do të ishin trajtuar në kohë, a mund të ishte shmangur kjo tragjedi?/ E Vërteta.al

Tragjedia në Durrës/ “Bien kokat” në Policinë Vendore

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat