Kandidatura e përjashtuar nga gara për drejtimin e Partisë Demokratike, Mereme Sela, ka çuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, duke paditur Partinë Demokratike dhe duke kërkuar anulimin e vendimeve të marra gjatë procesit të brendshëm zgjedhor.
Sela pretendon se përjashtimi i saj nga gara është bërë në mënyrë të pajustifikuar, pa arsyetim të plotë dhe në mungesë transparence procedurale. Në padinë e depozituar, ajo thekson se janë shkelur të drejtat statutore dhe parimi i barazisë në konkurrim brenda partisë.
Në dokumentacionin e dorëzuar në gjykatë, Sela ngre gjithashtu pretendime lidhur me lejimin e kandidimit të Sali Berisha, duke e konsideruar këtë në kundërshtim me statutin e partisë. Sipas saj, neni 46 i statutit, i njohur edhe si “neni Basha”, parashikon kufizime për drejtimin e partisë pas rezultateve zgjedhore.
Në kërkesën e saj drejtuar gjykatës, Sela ka paraqitur pesë pika kryesore:
- Shpalljen të pavlefshëm të vendimit për skualifikimin e saj nga gara për kryetar të PD-së;
- Detyrimin e partisë për ta rikthyer në garë;
- Shpalljen të pavlefshëm të kandidimit të Sali Berishës;
- Konstatimin e shkeljeve të rënda të statutit dhe parimeve të demokracisë së brendshme;
- Pezullimin e menjëhershëm të procesit zgjedhor të datës 23.05.2026 deri në përfundimin e gjykimit.
Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës, ndërsa përplasja ligjore vjen në një moment tensioni të shtuar brenda procesit të brendshëm zgjedhor në parti.



