Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për ndryshimin e masës së sigurisë.
Meta kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me “arrest shtëpie”, duke ofruar edhe një garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, si dhe masa të tjera më të lehta sigurie. Por kërkesa e tij nuk është pranuar nga gjykata.
Sipas njoftimit zyrtar, trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, në seancën e zhvilluar më 4 maj 2026, vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga Meta, përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani.
Çështja lidhej me ankimin ndaj vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila kishte lënë në fuqi masën e arrestit me burg. Në kërkesën e tij, Meta kishte propozuar disa alternativa, përfshirë arrestin në shtëpi, garanci pasurore, detyrimin për paraqitje në policinë gjyqësore apo ndalimin e daljes jashtë shtetit.
Megjithatë, Apeli i GJKKO vendosi të mos e pranojë këtë ankim, duke e lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Në njoftim theksohet se vendimi do t’u njoftohet palëve, ndërsa ndaj tij mund të ushtrohet rekurs në Gjykata e Lartë.
Vendimi i sotëm nënkupton se Ilir Meta do të vijojë të qëndrojë në qeli, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij pritet të vijojë në fazat e mëtejshme.



