Një aksident i rëndë rrugor në qytetin e Durrësit ka sjellë humbjen e jetës së dy fëmijëve të mitur dhe plagosjen e rëndë të një tjetri, ndërsa detaje të reja të zbardhura nga Policia e Shtetit tregojnë se drejtuesi i automjetit kishte një histori të mëparshme shkeljesh rrugore dhe ishte ndëshkuar më herët për sjellje të rrezikshme në qarkullim.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e ish-Kënetës, në rrugën “Ohri”, ku një automjet tip “Mercedes-Benz ML” doli nga rruga dhe përplasi tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç. Si pasojë e aksidentit, dy prej tyre, 12 dhe 10 vjeç, humbën jetën, ndërsa fëmija tjetër 8 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, drejtuesi i automjetit, shtetasi N. R., 57 vjeç, rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Testi i alkoolit tregoi nivele 0.73 mg/l dhe 0.70 mg/l, ndërsa i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminime të mëtejshme toksikologjike.
Pas aksidentit, ai është larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes, por më pas është konstatuar dhe shoqëruar nga patrulla policore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Hetimet paraprake dyshojnë se humbja e kontrollit të mjetit ka ardhur si pasojë e drejtimit në gjendje të dehur.
Ajo që ka ngritur edhe më shumë shqetësim është fakti se drejtuesi i automjetit nuk ishte i panjohur për policinë rrugore. Sipas verifikimeve, ai është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit, përfshirë parakalim të gabuar në vitin 2020 dhe tejkalim shpejtësie në dy raste të veçanta në vitin 2022, ku i është pezulluar edhe leja e drejtimit për një periudhë njëmujore.
Ky fakt ka hapur diskutime mbi kontrollin e mëparshëm të shkeljeve dhe efektivitetin e masave administrative ndaj drejtuesve problematikë, të cilët pavarësisht ndëshkimeve të mëparshme, kanë vijuar të qarkullojnë në rrugë.
Policia e Shtetit bëri me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa ndaj shtetasit N. R. rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen”, “Drejtim i mjetit në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.



