Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për ndërtimin e resortit në Zvërnec, projekt që është kthyer në një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit dhe ka nxitur protesta në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë solli si shembull modelin portugez të zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura, duke argumentuar se zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e natyrës mund të bashkëjetojnë.
“Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shumëkush e paraqet debatin si një zgjedhje të detyrueshme mes natyrës dhe ekonomisë. Por ka vende që tregojnë se realiteti mund të jetë krejt tjetër”, shkroi Rama.
Ai iu referua zonës së Ria Formosa në jug të Portugalisë, duke theksuar se investimet në turizmin luksoz transformuan rajonin e Algarve nga një zonë me zhvillim të kufizuar ekonomik në një nga destinacionet më prestigjioze turistike në Europë.
Sipas kryeministrit, modeli portugez dëshmon se pasuria natyrore mund të shndërrohet në motor zhvillimi ekonomik, pa dëmtuar biodiversitetin dhe ekosistemet.
Në reagimin e tij, Rama renditi si përfitime të këtij modeli miliarda euro investime private, mijëra vende pune, rritje të të ardhurave nga turizmi dhe zgjatjen e sezonit turistik gjatë gjithë vitit.
“Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin, dijen dhe vullnetin për t’i bërë ato të bashkëjetojnë”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit, kryeministri përdori një ton më të drejtpërdrejtë, duke deklaruar se “Shqipëria e rilindur turistike do hyjë me se s’bën në ligën e kampionëve të turizmit botëror”.
Debati për projektin në Zvërnec vijon të mbetet i ndezur, ndërsa kundërshtarët e tij kanë ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe mbrojtjen e zonave natyrore.



