back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetKosovaMinistria e Ekonomisë e Kosovës apelon për kursim të energjisë/ "Ngarkesa e...

Ministria e Ekonomisë e Kosovës apelon për kursim të energjisë/ “Ngarkesa e madhe po rrezikon rrjetin”

Ministria e Ekonomisë të mërkurën ka apeluar te qytetarët ta kursejnë rrymën, veçanërisht në periudha të caktuara gjatë ditës dhe natës, pasi sipas tyre, ngarkesa e madhe po e rrezikon rrjetin dhe po detyron që në disa vendbanime të ketë reduktime.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) të martën u ka dërguar mesazhe qytetarëve në telefona duke u bërë thirrje ta kursejnë rrymën. “Të nderuar konsumatorë, konsumimi i lartë po mbingarkon asetet tona, po rrezikon dëmtimin e tyre dhe ndërprerjen e energjisë. Ju lutemi, kurseni energjinë”, është shkruar në mesazh e KECO-s.

E në një komunikatë për media, Ministria e Ekonomisë ka thënë se KOSTT-i dhe KEDS-i kanë raportuar se niveli i konsumit energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta gjatë një takimit që e kanë pasur mbrëmë në orët e vona.  

“KOSTT dhe KEDS raportojnë se, me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MW në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin. Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara. Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Më tej, Ministria ka thënë se probleme të ngjashme ka pasur edhe në Fushë-Kosovë, “por me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune”.

Ministria bëri të ditur se çështja me energjinë elektrike pritet të zgjidhet edhe në Ferizaj gjatë javës në vijim, “kur do të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë”.

“Në tremujorin e parë të vitit 2025, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit me qëllim të zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji.  Zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit”, vijon komunikata.

Ministria e Ekonomisë ka apeluar te qytetarët ta kursejnë rrymë veçanërisht gjatë paradites nga ora 09:00 – 12:00 dhe pasdites nga ora 18:00 deri 00:00.

“Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë. Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”, përfundon komunikata e tyre.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat