Në tetor, Italia nisi një projekt ambicioz për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri – por pas disa muajsh, projekti prestigjioz i Giorgia Melonit është në prag të kolapsit. Këtë e bën të ditur ndër të tjera britanikja “Guardian”. Plani ishte që të silleshin 3000 emigrantë të kapur në ujërat italiane çdo muaj në Shqipëri dhe të shqyrtoheshin kërkesat e tyre për azil atje. Projekti pritej të kushtonte rreth një miliard euro gjatë pesë viteve.
Hulumtimet e gazetarëve shqiptarë tregojnë se objektet janë kryesisht bosh. Në Shëngjin, ku ndodhet një nga qendrat, oficerët e policisë italiane janë akomoduar në një hotel me pesë yje me spa dhe pishinë.
Zyrtarët u thanë gazetarëve të fshehtë të emisionit shqiptar ‘Piranjat’: “Ne jemi këtu për të siguruar qendrën, por nuk ka emigrantë. Ne paguhemi që të sillemi si turistë këtu – mëngjesin, darkën dhe saunën përfshirë, gjithçka paguhet nga qeveria italiane”.
Në fakt, deri më tani në Shqipëri janë sjellë vetëm 24 emigrantë, shumica e të cilëve janë larguar nga objektet pas më pak se 48 orësh. Në një qendër tjetër në Gjadër, gazetarët gjetën qen endacakë, për të cilët po kujdeseshin me dashuri oficerët e vendosur atje.
Kritikat ndaj marrëveshjes janë në rritje, veçanërisht në një kohë të buxhetit të shtrënguar italian. Matteo Renzi, ish-kryeministër dhe kreu i partisë opozitare Italia Viva, tha: “Pse duhet t’i shpërdorojmë paratë e italianëve në këtë mënyrë? Pse i lëmë forcat e policisë të pushojnë në Shqipëri kur na duhen në qytetet tona?”
Ai propozoi gjithashtu transferimin e të burgosurve shqiptarë nga burgjet italiane në objektet në Shqipëri. Ai kritikoi ashpër marrëveshjen: “Marrëveshja me Shqipërinë është një nga farsat më të mëdha në historinë tonë, kushtoi një miliard euro dhe tani përdoret si strehë për kafshët”.
Një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë e ndërlikon më tej situatën. Ai ndaloi sjelljen e emigrantëve në një vend të tretë që nuk konsiderohet plotësisht i sigurt. Edhe para nënshkrimit të marrëveshjes, shumë OJQ, ekspertë dhe organizata të të drejtave të njeriut kishin vënë në dukje problemet juridike dhe humanitare.
Kryeministrja Giorgia Meloni, qeveria e së cilës e ka bërë luftën kundër migracionit të paligjshëm një çështje qendrore të fushatës zgjedhore, është ende duke insistuar në planin. “Qendrat në Shqipëri do të funksionojnë edhe nëse më duhet të kaloj çdo natë atje”, shpjegoi ajo. Megjithatë, projekti është pezulluar për momentin pasi kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme juridikisht dhe politikisht./ T Online/