back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 4 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetRajoniKëshilli Kombëtar Shqiptar: Serbia po intensifikon sulmin ndaj shqiptarëve të Luginës

Këshilli Kombëtar Shqiptar: Serbia po intensifikon sulmin ndaj shqiptarëve të Luginës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi ka deklaruar sot shteti serb ka intensifikuar sulmin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pasi ka diskriminim të hapur dhe ndëshkim politik ndaj institucioneve shqiptare.

Rexhepi në një postim në Facebook ka përmendur edhe sulmet që po i bëhen Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke refuzuar regjistrimin e kryetarit të ri të KKSH-së.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Këshilli Kombëtar Shqiptar e konsideron vendimin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social të Serbisë një akt të hapur armiqësor ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili synon bllokimin e ndihmës ekonomike dhe shkatërrimin e autonomisë institucionale të shqiptarëve në Serbi. Në dy ditë radhazi, kjo Ministri ka ndërmarrë hapa që përbëjnë sulm frontal ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar:

Shfuqizimin e vendimit për subvencionet e fermerëve shqiptarë, të financuara nga Fondi i Qeverisë së Kosovës.

Refuzimin e regjistrimit të kryetarit të ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, duke përdorur argumente absurde dhe teknikalitete burokratike.

Këto akte janë shembuj të qartë të politikave diskriminuese të shtetit serb ndaj shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të përballen me shtypje politike, izolim ekonomik dhe përjashtim nga vendimmarrja institucionale.

Ndëshkimi i ndihmës nga Kosova – Bllokadë ekonomike e shqiptarëve të Luginës

Me aktin e datës 27 janar 2025, Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social anuloi vendimin legjitim të Këshillit Kombëtar Shqiptar për shpalljen e një thirrjeje publike për subvencionimin e fermerëve shqiptarë me fonde nga Qeveria e Kosovës. Ky vendim është i pabazuar ligjërisht dhe i motivuar qartazi politikisht, duke synuar që shqiptarët e Luginës të mbeten të izoluar, të varfër dhe të pamundur për të përfituar nga ndihma ndërkombëtare.

Këshilli Kombëtar Shqiptar thekson:

Asnjë dispozitë ligjore nuk ndalon pranimin e fondeve apo donacioneve të ligjshme, sidomos ku ato janë për qëllime zhvillimi dhe avancim.

Ndihma nga Qeveria e Kosovës synon të përmirësojë jetën e shqiptarëve në një sektor jetik si bujqësia, që është lënë krejtësisht pas dore nga shteti serb.

Ky vendim përbën një akt bllokade të qëllimshme ekonomike, duke dëshmuar qartë qëllimin e Serbisë për të penguar zhvillimin e shqiptarëve në çdo mënyrë të mundshme. Serbia nuk ofron ndihmë për Luginën e Preshevës dhe, njëkohësisht, ndalon çdo përpjekje për mbështetje nga Kosova, duke krijuar një rreth vicioz varfërie dhe izolimi.

Sabotimi i autonomisë institucionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar

Një ditë pas këtij akti skandaloz, më 28 janar 2025, Ministria refuzoi të regjistrojë zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Në vend që të respektojë vullnetin e shumicës së anëtarëve të Këshillit, Ministria përdori argumente të dobëta dhe teknikalitete burokratike për të delegjitimuar procesin e zgjedhjes.

Pretendimi se kandidatura për kryetar nuk u dorëzua brenda afatit të parashikuar është një alibi e pastër politike, e përdorur për të paralizuar funksionimin e Këshillit.

Ky veprim synon të krijojë një ngërç institucional, duke i mohuar shqiptarëve të drejtën për të udhëhequr dhe përfaqësuar veten në një organ që supozohet të jetë autonom.

Kjo qasje e hapur diskriminuese dëshmon se Serbia nuk e ka qëllim respektimin e të drejtave të pakicave, por synon të kontrollojë dhe dobësojë çdo institucion shqiptar që përpiqet të funksionojë në përputhje me ligjin dhe të mbrojë të drejtat e komunitetit të tij.

Ky është një sulm i koordinuar politik dhe institucional ndaj shqiptarëve të Luginës

Këto dy vendime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të shtetit serb për të shuar çdo përpjekje për zhvillim dhe përfaqësim të shqiptarëve në Serbi. Ato pasojnë një varg masash diskriminuese si pasivizimi i adresave, margjinalizimi ekonomik dhe ndalimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucione.

Këshilli Kombëtar Shqiptar paralajmëron masa ligjore dhe diplomatike

Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk do ta pranojë këtë dhunë administrative dhe do të ndjekë të gjitha rrugët për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Luginës:

Do të parashtrojë padi në Gjykatën Administrative të Serbisë për shfuqizimin e këtyre vendimeve arbitrare dhe diskriminuese.

Do të njoftojë institucionet ndërkombëtare dhe organizatat për të drejtat e njeriut për ndërhyrjen brutale të shtetit serb ndaj institucioneve shqiptare.

Do të kërkojë reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, duke theksuar se veprime të tilla janë të papajtueshme me rrugën e pretenduar evropiane të Serbisë.

Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk do të heshtë dhe nuk do të lejojë që shqiptarët e Luginës të shndërrohen në qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm ndaj të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe ndaj çdo përpjekjeje për të ndihmuar komunitetin tonë të mbijetojë dhe të zhvillohet.

Ne nuk do të nënshtrohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona deri në fund. 

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat