KreuDrejtësiaBojkoti i avokatëve alarmon GJKKO-në/ Zbardhet shkresa drejtuar KLGJ-së

Bojkoti i avokatëve alarmon GJKKO-në/ Zbardhet shkresa drejtuar KLGJ-së

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit nevojën për ndryshime ligjore, me synimin për të parandaluar zvarritjen e proceseve gjyqësore nga mosparaqitja kolektive e avokatëve.

Në kërkesën drejtuar KLGJ-së, GJKKO propozon përcaktimin e rregullave të qarta që garantojnë vijimësinë e gjykimeve dhe përmbushjen e detyrimeve profesionale të mbrojtjes, pa cenuar të drejtat e individëve. Një tjetër propozim lidhet me përfaqësimin e magjistratëve në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë, mbi bazën e parimit të paritetit dhe reciprocitetit institucional.

Sipas GJKKO-së, vendimmarrjet e Dhomës së Avokatisë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e proceseve gjyqësore, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë përfaqësim në organet drejtuese të saj, ndryshe nga avokatët që përfaqësohen në organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Në relacionin shoqërues, gjykata thekson se e drejta e protestës është një liri themelore, por ushtrimi i saj duhet të respektojë ligjin, proporcionalitetin dhe të drejtat e të tjerëve. Sipas saj, thirrja për protestë kolektive nuk përbën grevë në kuptimin e legjislacionit të punës dhe nuk pezullon automatikisht detyrimet profesionale të avokatëve ndaj klientëve dhe gjykatës.

GJKKO vlerëson se mosparaqitja kolektive e avokatëve në seanca, kur pengon zhvillimin e gjykimeve dhe garantimin e të drejtave të individit, mund të bjerë ndesh me kërkesat e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit. Shqetësimi, sipas gjykatës, është veçanërisht i rëndësishëm në çështjet që lidhen me lirinë personale.

Megjithatë, gjykata sqaron se ky vlerësim lidhet me mënyrën e ushtrimit të protestës dhe pasojat e saj, pa mohuar të drejtën e avokatëve për të shprehur kundërshtimet në forma të tjera të ligjshme.

GJKKO bën me dije se ka marrë dhe do të vijojë të marrë masat që parashikon legjislacioni për të garantuar mbrojtjen efektive dhe zhvillimin e gjykimeve brenda një afati të arsyeshëm. Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë të krijojnë garanci më të qarta për të shmangur përsëritjen e situatave që mund të bllokojnë proceset gjyqësore.

Kërkesa shoqërohet me një relacion analitik ku shqyrtohen legjislacioni shqiptar, jurisprudenca vendase dhe ndërkombëtare, si dhe praktikat krahasuese.

Shkrese Drejtuar KLGJ Se 14102026 (1)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat