Të rinjtë janë shumë aktiv në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Këtë herë, mbi 100 mijë të rinj do të votojnë për herë të parë.
10:04
Lumir Abdixhiku voton për zgjedhjet parlamentare
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në shkollën Faik Konica në Prishtinë.
Abdixhiku ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të votojnë për të vendosur për “fatin e tyre dhe të Republikës së Kosovës” për katër vjetët e ardhshëm.

Kandidatët e tjerë për kryeministër janë: Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Që të gjithë ata veçse kanë votuar.
09:48
Voton Albin Kurti
Kryeministri aktual, Albin Kurti, që sërish është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ai inkurajoi të gjithë qytetarët që të votojnë në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në Kosovë.
“Ushtrojeni të drejtën tuaj demokratike për ta bërë zërin tuaj që të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm”, tha Kurti.
Kandidatët e tjerë për kryeministër në këto zgjedhje janë: Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

09:42
Hamza: Në fund sovrani vendos
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka votuar të dielën në Mitrovicë, qytetin prej nga është.
Ai i ka lutur që të gjithë qytetarët e Kosovës të votojnë, po ashtu.
“Në fund sovrani vendos, qytetarët votojnë. Për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët e Kosovës është i pranueshëm, jam optimist. Ka qenë një fushatë e gjatë, por jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kemi ruajtur pozitivitetin”.
Thirrje për të dalë në votime kanë bërë edhe kandidatë tjerë për kryeministër.
Përveç Hamzës, në garë për këtë pozitë janë edhe Albin Kurti, kryeministër aktual, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Serbët e zhvendosur nga Kosova votojnë në zgjedhjet parlamentare
Komisariati për Refugjatë i Republikës së Serbisë është angazhuar në “mobilizimin” e personave të zhvendosur për të votuar në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.
Më 17 janar, ai u ka bërë thirrje personave të zhvendosur nga Kosova në Serbi, që të votojnë në zgjedhje, dhe ka bërë më dije se transporti deri në vendvotime, do të organizohet për të gjithë të interesuarit.
Sipas informacioneve nga gazetarët e Radios Evropa e Lirë që janë në terren, autobusët kanë mbërritur sot në mëngjes në komunat në veri, ku shumica e votuesve votojnë me kusht.
Radio Evropa e Lirë sot ka hasur në disa prej tyre edhe në Graçanicë, siç është Zhivorad Petkoviq nga Vërnjaçka Banja.
Ai tha se ka ardhur pa probleme në Kosovë me një furgon, dhe teksa shumica votojnë në Mitrovicë, ndërsa ai ka vendosur të votojë në Graçanicë.

Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA), para mbajtjes së zgjedhjeve, ka deklaruar për REL-in se te pjesëtarët e komunitetit serb ekziston vetëdija se politika e bojkotit ka dështuar dhe se ka një numër të madh qytetarësh që do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet e Kosovës.
BE: 104 vëzhgues në terren për t’i mbikëqyrur zgjedhjet në Kosovë
Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, ka thënë të dielën se 104 vëzhgues janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur procesin zgjedhor në Kosovë.
“Duam të sigurohemi që të gjithë votuesit mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, ka thënë ajo para mediave.
Ajo ka thënë se është shumë herët të thuhet diçka për procesin, dhe ka paralajmëruar konferencë për të martën, për të përmbledhur gjithë procesin.
DnV: Disa vendvotime u hapën me vonesë
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, raportoi se 9 për qind nga 2.589 vendvotime janë hapur me vonesë për arsye të ndryshme.
“Është raportuar se shkak i vonesave për hapjen e vendvotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionarëve, në 6 për qind të vendvotimeve”, tha Ismet Kryeziu nga DnV.
DnV po monitoron zgjedhjet parlamentare me 500 vëzhgues që janë të vendosur në 500 vendvotime.
Kryeziu tha se nga të dhënat në terren, në 5 për qind të qendrave të votimit kanë munguar posterët informues për procesin zgjedhor.
Megjithatë, ai tha nuk raportohet për shkelje të rregullave sa i përket vendosjes së kabinave të votimit apo edhe të kamerave, të cilat tha se janë vendosur në pozita që nuk cenojnë fshehtësinë e votës.
Krasniqi: Ngjyra shënjuese e gishtërinjve po fshihet lehtësisht
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka ngritur shqetësimi se shënjimi i gishtërinjve me ngjyrë matrikuluese po fshihet lehtësisht.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se kjo rrit rrezikun për votim të dyfishtë.
“Kjo përbën një hap prapa krahasuar me praktikën e mëparshme të përdorimit të ngjyrës së padukshme, pasi qytetarët mund të bien pre e presioneve për të votuar ose për të mos votuar”, tha ai./REL