Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Mungesa e godinave të gjykatave, kërkesat për fonde shtesë dhe efektiviteti i shërbimit të sigurisë nga kompania shtetërore Illyrian Guard u kthyen në objekt debati mes kryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, dhe kreut të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi.
Gjatë raportimit për projektbuxhetin e vitit 2027, Rusi paraqiti një sërë kërkesash financiare për sistemin gjyqësor, duke theksuar se një nga problemet më të mëdha mbetet infrastruktura. Sipas tij, nga 20 gjykata që funksionojnë në vend, vetëm pesë prej tyre ushtrojnë aktivitetin në godina të ndërtuara dhe të dedikuara posaçërisht për këtë qëllim. Pjesa tjetër operon në ambiente të përshtatura, të cilat nuk plotësojnë gjithmonë nevojat e sistemit.
Kreu i KLGJ-së ngriti shqetësimin se, pavarësisht reformës në drejtësi dhe viteve të kaluara, ndërtimi i godinave të reja ka mbetur një proces i bllokuar. Ai tha se që prej vitit 2017 nuk ka përfunduar asnjë godinë e re e destinuar për gjykatë, ndërsa kërkesat drejtuar disa bashkive për vënien në dispozicion të trojeve nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
Sipas Rusit, KLGJ u është drejtuar bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës për të siguruar territore ku mund të ndërtohen godina të reja gjyqësore, por këto kërkesa nuk janë konkretizuar. Një zhvillim pozitiv është shënuar në Berat, ku këshilli bashkiak ka miratuar kalimin e një trualli në pronësi të KLGJ-së. Për këtë projekt janë parashikuar 9 milionë lekë për hartimin e projektit të zbatimit, ndërsa ndërtimi i godinës së re për Gjykatën e Shkallës së Parë pritet të kërkojë financim në vitet pasuese.
Një tjetër kërkesë e KLGJ-së lidhet me ndërtimin e godinave për gjykatat në Tiranë. Rusi shpjegoi se institucioni ka kërkuar prej kohësh vënien në dispozicion të trojeve për Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Për një nga projektet është kërkuar një fond prej 200 milionë lekësh, por realizimi i investimit mbetet i lidhur me procedurat e shpronësimit të truallit nga institucionet përgjegjëse.
Pikërisht këtu ndërhyri Fatmir Xhafaj, i cili vuri në dukje se problematika e infrastrukturës nuk mund të shihet e shkëputur nga mungesa e kapaciteteve njerëzore në gjykata. Sipas tij, në disa prej institucioneve kryesore të sistemit gjyqësor nuk ka ambiente të mjaftueshme për të vendosur punonjësit e rinj, çka pengon edhe plotësimin e vendeve vakante.
Xhafaj veçoi Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, Gjykatën e Apelit Administrativ, Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, duke i cilësuar si nyjën kryesore të problemit infrastrukturor.
“Nyja gordiane janë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë dhe sidomos Gjykata e Apelit Administrativ, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Nëse zgjidhen këto nga pikëpamja infrastrukturore, zgjidhet çështja e emërimit të njerëzve, se sot s’kanë ku ulen ata dhe t’i çosh”, deklaroi Xhafaj.
Por diskutimi nuk u ndal vetëm te mungesa e godinave. Një tjetër pikë ku kryetari i komisionit shprehu rezerva ishte mënyra e menaxhimit të fondeve nga KLGJ dhe kërkesat e përsëritura për financime, në një kohë kur buxhetet e miratuara nuk realizohen plotësisht.
“Ka shumë çështje këtu që s’dimë nga t’i kapësh, me thënë të drejtën. Ka disa defekte që KLGJ duhet t’i shohë vetë, nga stafi juaj administrativ. Të kërkosh lekë dhe të mos realizosh buxhete vit pas viti nuk është…”, u shpreh Xhafaj.
Kjo ishte një nga kritikat më të drejtpërdrejta gjatë raportimit, pasi vuri në pikëpyetje jo vetëm nevojën për më shumë para, por edhe aftësinë e institucionit për të përdorur fondet që ka në dispozicion.
Një tjetër debat u zhvillua për kostot e shërbimit të sigurisë në gjykata, të ofruar nga shoqëria shtetërore Illyrian Guard. Rusi tha se shpenzimet për mallra dhe shërbime janë rritur, duke përmendur ndër të tjera dyfishimin e tarifave postare dhe ndryshimin e kostos së shërbimit të kompanisë së sigurisë.
KLGJ ka kërkuar gjithashtu 215 milionë lekë të reja për blerjen e pajisjeve të zyrave dhe mjeteve që do të shërbejnë për rritjen e sigurisë në gjykata. Sipas Rusit, edhe pse mungojnë ambientet e përshtatshme, nevojat për pajisje sigurie mbeten të domosdoshme.
Por Xhafaj nuk u mjaftua me argumentimin e rritjes së kostove. Ai vuri në pikëpyetje efektivitetin dhe eficiencën e Illyrian Guard, duke kërkuar një analizë më të qartë mbi shërbimin që ofron dhe barrën financiare që i krijon buxhetit të sistemit gjyqësor.
“Është çështje tjetër efektiviteti, eficienca e Illyrian Guard, është një histori më vete. Por minimalisht duhet paguar ose do ta mbyllim. Shtet brenda shtetit janë, i kërkojnë, buxheti nga buxheti shkon sigurisht”, deklaroi kryetari i komisionit.
Kjo ndërhyrje e Xhafajt e zhvendosi diskutimin nga kërkesat financiare të KLGJ-së te mënyra se si funksionon shërbimi i sigurisë dhe nëse kostot e tij justifikohen nga rezultatet. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për tarifat postare, të cilat sipas Rusit janë dyfishuar dhe do të sjellin një efekt të mëtejshëm në shpenzimet e institucionit.
199 punonjës shtesë dhe sistemi i ri teknologjik
Një tjetër kërkesë e rëndësishme e KLGJ-së për vitin 2027 është shtimi i 199 punonjësve, për të plotësuar vendet vakante në sistemin gjyqësor. Rusi tha se nevojat lidhen kryesisht me ndihmësit ligjorë, sekretarët gjyqësorë dhe punonjësit e sigurisë.
Ai kujtoi se për vitin aktual ishin miratuar 100 punonjës shtesë, të cilët ishin shpërndarë në këto kategori, por sipas tij nevojat vazhdojnë të jenë të mëdha. Përveç vakancave ekzistuese, shtimi i personelit lidhet edhe me zbatimin e sistemit të ri teknologjik Euronix, i cili do të kërkojë punonjës të specializuar dhe investime në pajisje elektronike.
Megjithatë, shqetësimi i Xhafajt ishte se kërkesa për shtimin e stafit nuk mund të realizohet pa zgjidhur më parë problemin e ambienteve fizike. Sipas tij, emërimi i punonjësve të rinj në gjykata nuk ka kuptim nëse institucionet nuk kanë hapësira për t’i sistemuar.
Buxheti i sistemit gjyqësor ulet me 74.2 milionë lekë
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit, relatorja Evis Kushi bëri të ditur se financimi për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe sistemin gjyqësor për vitin 2027 parashikohet në 6.67 miliardë lekë.
Krahasuar me vitin 2026, fondet janë ulur me 74.22 milionë lekë, ndërsa organika mbetet e pandryshuar në 1192 pozicione.
Kjo shifër vjen në një kohë kur KLGJ kërkon shtimin e 199 punonjësve, investime të reja në infrastrukturë, pajisje sigurie dhe financim për sistemin teknologjik. Diferenca mes nevojave të paraqitura nga KLGJ dhe fondeve të parashikuara në projektbuxhet ishte një tjetër element që nxori në pah vështirësitë me të cilat përballet sistemi gjyqësor.
Nga njëra anë, KLGJ kërkon më shumë fonde për të ndërtuar gjykata, për të shtuar personelin dhe për të garantuar sigurinë. Nga ana tjetër, Xhafaj kërkon llogari për realizimin e buxheteve, rritjen e kostove të shërbimeve dhe mungesën e eficiencës në administrimin e tyre.
Ndërsa reforma në drejtësi ka ndryshuar hartën dhe organizimin e gjykatave, infrastruktura mbetet një nga problemet që ende nuk ka marrë zgjidhje, duke rrezikuar të pengojë edhe plotësimin e vendeve vakante dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.



