Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Olsian Çelës i kanë mbetur edhe pak javë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, por në një moment kur mandati i tij po shkon drejt fundit, ai duket se po ruan të njëjtën distancë me median që ka karakterizuar pothuajse të gjithë drejtimin e tij shtatëvjeçar.
Në mbledhjen e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ku u diskutuan parashikimet buxhetore të Prokurorisë për vitin 2027, nuk ishte vetë Prokurori i Përgjithshëm ai që u paraqit për të përfaqësuar institucionin, por zëvendësi i tij, Arqilea Koça.
Ky i fundit prezantoi nevojat dhe parashikimet financiare të organit të akuzës për vitin e ardhshëm, ndërsa Çela, megjithëse është ende zyrtarisht në detyrë, nuk ishte i pranishëm në këtë dëgjesë parlamentare.
Mungesa e tij merr një tjetër kuptim në kushtet kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përcaktuar 5 dhjetorin 2026 si datën e përfundimit të mandatit shtatëvjeçar të Çelës. Vendimi u mor në mbledhjen e 5 nëntorit, duke i dhënë fund paqartësisë për datën kur kryeprokurori duhet të largohet nga drejtimi i institucionit.
Pas përfundimit të mandatit, nëse procedura për zgjedhjen e pasardhësit nuk ka përfunduar, drejtimi i përkohshëm i Prokurorisë do t’i kalojë zëvendësit Arqilea Koça, deri në zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.
Pra, personi që sot përfaqëson institucionin në diskutimet për buxhetin e vitit 2027 është edhe ai që pritet të marrë drejtimin e tij në periudhën tranzitore. Një zhvillim që e bën edhe më të rëndësishme mungesën e drejtuesit aktual në një aktivitet ku diskutohet e ardhmja financiare dhe funksionimi i organit të akuzës.
Por, kjo nuk është hera e parë që raporti i Olsian Çelës me median ngre pikëpyetje. Përgjatë mandatit të tij, Prokurori i Përgjithshëm ka qenë një prej drejtuesve të institucioneve të drejtësisë më pak të aksesueshëm për gazetarët, veçanërisht sa i përket intervistave dhe komunikimit të drejtpërdrejtë për çështje me interes publik.
Kur është kërkuar një intervistë me të, përgjigjja e përsëritur ka qenë se Prokurori i Përgjithshëm jep llogari në Kuvend. Ndërkohë, në dalje dhe konferenca publike, Çela ka folur për rëndësinë e transparencës së institucioneve të drejtësisë dhe komunikimit me publikun.
Në praktikë, megjithatë, marrëdhënia e tij me mediat ka qenë krejt tjetër. Intervistat e mirëfillta të dhëna për mediat kanë qenë tepër të rralla. Një prej daljeve të tij më të njohura në këtë format ishte intervista për Euronews Albania, në shtator të vitit 2020, rreth nëntë muaj pasi kishte marrë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në vitet që pasuan, komunikimi i tij me gazetarët është kufizuar kryesisht në raste kur është ndalur prej tyre në aktivitetet zyrtare, pa krijuar një raport të rregullt komunikimi me median. Kërkesat për intervista dhe sqarime për çështje me interes publik nuk kanë marrë gjithmonë përgjigje, ndërsa gazetarët shpesh janë përballur me vështirësinë për të marrë një qëndrim të drejtpërdrejtë nga drejtuesi i organit të akuzës.
Kjo është veçanërisht problematike për një institucion që ka një rol të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë dhe që administron një sërë çështjesh me interes të lartë publik. Transparenca nuk mund të kufizohet vetëm në raportet periodike, në prezantimet para deputetëve apo në njoftimet zyrtare të institucionit. Ajo kërkon edhe komunikim të drejtpërdrejtë me median, përgjigje ndaj pyetjeve dhe mundësi për të marrë sqarime për vendimmarrjen dhe funksionimin e institucionit.
Në fakt, E Vërteta.al e ka trajtuar më herët këtë problematikë në artikullin e publikuar në prill të këtij viti, ku raporti i Çelës me median u vendos në qendër të kritikave për mungesën e transparencës gjatë mandatit të tij. Në atë kohë, pavarësisht se fundi i mandatit ishte ende disa muaj larg, modeli i komunikimit të kryeprokurorit me gazetarët kishte qenë tashmë një problem i përsëritur.
Tashmë, kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në përfundimin e mandatit, paraqitja e zëvendësit në vend të tij në një komision parlamentar rikthen vëmendjen te mënyra se si Çela po e përmbyll drejtimin e institucionit.
Nuk dihet nëse mungesa e tij lidhet me një angazhim tjetër apo me një zgjedhje për t’ia deleguar këtë përgjegjësi zëvendësit. Por, në kushtet kur është ende zyrtarisht në detyrë, mungesa e tij kërkon një shpjegim.
Çela ka pasur shtatë vite kohë për të ndërtuar një marrëdhënie më transparente me median. Në prag të largimit, mbetet për t’u parë nëse do të zgjedhë të komunikojë drejtpërdrejt edhe për bilancin e drejtimit të tij, apo do të largohet nga posti pa dhënë një llogari publike për shumë prej çështjeve që kanë shoqëruar mandatin e tij.
E Vërteta.al
Nga apartamenti 86 m² te prona 393 mijë euro/ Çfarë deklaron Olsian Çela në fund të mandatit?
Pagat, Olsian Çela i hap rrugë dialogut me qeverinë?/ Zbutet edhe për ndryshimet në Kodin Penal
Olsian Çela ngre alarmin: Hetimet e Policisë Gjyqësore “difektoze”, sistemi në krizë
58% e të burgosurve në Shqipëri, në paraburgim/ Olsian Çela jep alarmin
“Kodet i bëjnë profesorët, ky proces kërkon kujdes të madh”/ Olsian Çela flet pa dorashka
“E papranueshme”/ Olsian Çela kritika prokurorëve: Ankohen nëpër ambasada për vendimet e Apelit
“Koordinim dhe veprim i përbashkët”/ Olsian Çela zbulon strategjinë për goditjen e krimit në rajon
Nga presioni ndaj prokurorëve te hetimi i krimeve zgjedhore/ Olsian Çela i vë pikat mbi “i”
Dosjet hetimore “mbysin” Prokurorinë/ Olsian Çela zbardh bashkëpunimin me SPAK-un dhe problematikat
Pas 7 vitesh në krye të akuzës/ Çela: Rikthimi i besimit te drejtësia do të jetë i vështirë
Çela me bilanc kritik/ “Mijëra dosje të bllokuara dhe qindra dënime me burg të pazbatuara”
Kaos në ligjin penal/ Çela paralajmëron një katastrofë juridike me 900 nene



