Partia e Lirisë po prezanton sot ekipin e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit.
Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi, u shpreh se kryeministri Edi Rama pretendon sot që t’u japë fund radhëve të shqiptarëve në aeroportet e Europës, ndërkohë që në 12 vite nuk arriti dot t’u japë fund radhëve torturuese në spitale, hipoteka dhe gjykata.
Ai ka shtuar se nuk mund të durohet më një Qeveri që flet për anije kozmike në vendin ku fëmijët me kancer humbin jetën për mungesë barnash në spitale dhe ku një shishe verë që pi në ditë Kryeministri i vendit më të varfër në Europë është e barabartë me 14 vite pension minimal.
Fjala e plotë:
Numërimi mbrapsht për qeverisjen e mbrapshtë ka nisur.
Këmbanat po bien për regjimin, që as ujë të pijshëm 24 orë nuk arriti dot në tre mandate t’u garantonte shqiptarëve, të etur sot jo vetëm për ujë, por më shumë se kurrë për Liri, të drejta dhe dinjitet njerëzor.
Uji i gamiles së “Rilindjes” po shteron, bashkë me premtimet elektorale që Edi Rama i pati në dorë t’i realizonte por nuk i mbajti dhe as i përmbushi kurrë.
Qeveria që 12 vite më parë premtoi diell për të gjithë shqiptarët, e mbyll mandatin e tretë si terri më i errët dhe ferri më përvëlues për Shqipërinë.
Njësoj si rangallat gjigande dhe të ndryshkura të TEC-eve lundruese të Vlorës, që Edi Rama i mori për të garantuar furnizimin pa kufizim me energji elektrike, por që as 1 kë nuk prodhuan dhe as kanë për të prodhuar kurrë.
Kryeministri që u mbylli dyert e shtëpive 1 milion shqiptarëve duke i dëbuar në emigrim, premton sot të na hapë dyert e BE-së me pasaportën europiane.
Flet për paqen globale, për luftën në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, Kryeministri që nuk garanton dot rendin dhe qetësinë publike jo në lagjet, por as në zemrat e qyteteve të Shqipërisë ku bandat çdo ditë bëjnë kërdinë dhe ku fëmijë therren me thikë në shkolla në mes të Tiranës.
Ky Kryeministër që në 12 vite nuk arriti dot t’u japë fund radhëve torturuese në spitale, hipoteka dhe gjykata, pretendon sot t’u japë fund radhëve të shqiptarëve në aeroportet e Europës.
Shampanjat e festimit të integrimit europian dhe dekorimet qesharake të ambasadorëve janë bërë njësoj si kapitujt me BE-në, që vetëm hapen por që nuk dihet se kur do të mbyllen.
Nuk mund të durohet më një Qeveri që flet për anije kozmike në vendin ku fëmijët me kancer humbin jetën për mungesë barnash në spitale dhe ku një shishe verë që pi në ditë Kryeministri i vendit më të varfër në Europë është e barabartë me 14 vite pension minal.
A mund të besosh më se të mbron shëndetin një Qeveri që nxorri tanket në rrugë për të luftuar me COVID-in dhe që sot të detyron të paguash 60% më shtrenjtë shëndetësinë që ta premtoi falas?
Nuk mund të pranojmë më një pushtet që mbron të fortët dhe shkel të dobëtit.
Një pushtet që jep leje ndërtimi për kulla luksi e droge për pakicën dhe që rrëmben e rrënon pronat e ligjshme për shumicën, duke mos kursyer as helmimin me gaz të grave shtatzëna, të miturve dhe të moshuarve.
Legalizimet falas brenda mandatit të parë ishin fjalë që i mori era.
Këto ndodhin sepse në 12 vite Edi Rama bëri ligje vetëm për veten dhe padrejtësi për popullin.
Është ai që vrau shpresën dhe ëndrrat e të rinjve duke hapur plagën e shpopullimit si një humnerë të thellë në trupat e qytetet dhe fshatrave të Shqipërisë, ku sot nuk ka më jetë.
Është Edi Rama ai që piu gjakun e familjeve të thjeshta shqiptare, që pështyu mundin dhe djersën e fermerit shqiptar, që mohoi kontributet dhe sakrificat e panumërta të pensionistëve duke u ushqyer me taksat e tyre, të popullit me nivelin më mizerabël të varfërisë në kontinent.
Ndaj jemi sot kampion në Europë për korrupsion dhe të dytët në botë për ryshfet.
Edi Rama rriti taksat dhe borxhin publik, jo për të rritur mirëqenien e shqiptarëve, por t’u ushqyer me hajdutërinë skizofrenike, me mijëra tendera sekrete, me PPP, me rrugë të florinjta që ose shemben pa u inauguruar ose që kushtojnë deri 6 herë më shtrenjtë se në BE, me klientelizëm dhe padrejtësi, nga mëngjesi në darkë, aq sa sot një bebe e porsalindur e ka në kokën e krevatit një faturë borxhi që duhej të paguajë prej 5,634 euro për banor.
Si të mos mjaftohej, ky Kryeministër që shtron iftare, citon librat e shenjtë në kisha dhe teqe, është në fakt Kryehajduti më i madh i pronave të komuniteteve fetare, që në shtëpitë dhe tokat e Zotit jep leje për të ndërtuar rezorte luksoze, kazino dhe kuplara për klientët e tij.
Falë tij sot kemi jo vetëm fëmijë në masë analfabetë funksionalë por edhe me kreativitetin më të ulët, për shkak se dija nënfinacohet ndërsa injoranca dhe vesi lartësohen, deri duke hyrë në Parlament dhe bashkitë e vendit.
Ndaj lugati është mbyllur sot në bunker.
Larg popullit, larg gazetarëve, larg interpelancave, larg transparencës e llogaridhënies dhe larg së vërtetës, se pasi hëngri partinë e tij dhe gëlltiti pasuritë e Shqipërisë, nisi të hajë të vetët dhe tani po ha edhe veten e vet “Sy m’sy”.
Fitorja është më pranë se kurrë!
Edhe 35 ditë na ndajnë nga epoka e re që fillon më 11 Maj, falë fuqisë së votës tuaj dhe të çdo shqiptari të ndershëm, për të kurorëzuar së bashku triumfin e Lirisë mbi Tiraninë, të patriotizmit mbi antishqiptarinë, të fitores së programit tonë mbi pushtetin, të Fitores Madhështore të Shqipërisë, që prodhon dhe eksporton, që hap mijëra vende të reja pune dhe që rrit mirëqenien për të gjithë shqiptarët.
Fitorja rreh në çdo zemër, shihet në çdo bisedë sy më sy, ndihet në çdo shtrëngim dore dhe dëgjohet në çdo zë që kërkon ndryshimin.
Shihni kë kemi kundërshtar, një Kryeministër të lodhur nga pesha e rëndë e krimit dhe korrupsionit dhe një qeveri të kalbur që ka zero bilanc dhe zero program para qytetarëve.
Në kampin e kundërshtarit, frika dhe paniku janë të dukshme.
Vetë Edi Rama, që herë premtonte futjen e vetes në lista të hapura, herë deklaronte se nuk do të kandidonte fare, ka përfunduar tani i kyçur në bunker, i vetëdijshëm për orët që po i numërohen mbrapsht dhe ndëshkimin fatal që po afrohet me afrimin e 11 Majit.
Partia e Lirisë ka qenë gjithmonë në ballë të betejës për listat e hapura, që nga viti 2008 kur Ilir Meta hyri në grevë urie dhe më 11 Maj listat e hapura do të jenë edhe prova më e qartë e fitores sonë dhe triumfi i vërtetë i demokracisë kundër tiranisë dhe kryetarokracisë.
Në krye të ekipit tonë fitues qëndron lideri ynë i sprovuar, lideri i fortë i sfidave të vështira që i ka shndërruar ato gjithmonë në fitore të mëdha, lideri i fjalës së mbajtur “Po-Po dhe Jo-Jo”, atdhetari dhe burri i shtetit që ka udhëhequr gjithmonë me vizion dhe integritet: Presidenti Ilir Meta!
Një atdhetar i vërtetë, gjithmonë në shërbim të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që nuk e ka tradhtuar kurrë dhe për asnjë arsye interesin dhe kauzat e mëdha kombëtare, si dhe interesin e qytetarëve të thjeshtë.
Edhe pse në kushtet e një izolimi ekstrem ku mbahet dhunshëm nga Narkoregjimi i trembur nga fuqia e tij elektorale dhe i tronditur nga themelet nga të vërtetat e thëna prej tij me zë të lartë, Presidenti Meta po e drejton fushatën tonë me forcën dhe vizionin e një lideri që nuk ndalet përballë asnjë pengese!
Me energji dhe vendosmëri, ai po bashkon shqiptarët për t’i dhënë fund këtij regjimi të korruptuar në çdo qelizë dhe për të qenë më 11 Maj deputeti më i votuar në listën e hapur në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Tirana do të jetë lokomotiva e ndryshimit historik me të paktën 20 deputetë për aleancën tonë “PD–ASHM” dhe me 84 deputetë në të gjithë Shqipërinë.
Më 11 Maj votojmë Njëshat!
Me programin tonë i çlirojmë qytetarët nga Edi Rama që është kryetaksa dhe kryegjoba e tyre.
Duke votuar më 11 Maj për programin ekonomik “Made in Albania” të Shqipërisë Madhështore, shqiptarët do të votojnë për uljen e taksave, për rritjen e pagave dhe të pensioneve.
Është votë për të ulur ndjeshëm koston e jetesës dhe çliruar ekonominë familjare dhe kombëtare nga kriza dhe stanjacioni regresiv ekonomiko-shoqëror.
Programi i shkëlqyer i “PD-ASHM”, ku integrohen prioritet madhore të Partisë së Lirisë, shemb Narkoekonominë e drogës dhe parave të pista dhe ndërton ekonominë e qëndrueshme që e bën Shqipërinë Madhështore si fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon duke rritur mirëqenien ekonomike të familjeve, duke rritur fuqishëm punësimin dhe duke ndaluar shpopullimin.
Një alternativë e shkëlqyer, plotësisht e financueshme, që maksimizon resurset e mëdha ekonomiko-natyrore të vendit për t’i dhënë frymëmarrje të gjerë zhvillimit të qëndrueshëm dhe progresiv ekonomik, si dhe garanton të ardhmen e të rinjve tanë këtu në Shqipëri.
Më 11 maj shporret Edi Rama, që përzuri shqiptarët dhe shpopulloi Shqipërinë dhe vijnë në pushtet shërbëtorët e qytetarëve që anëtarësuan vendin në NATO, ju hoqën vizat dhe ju dhanë pasaportën europiane me të cilën lëvizin lirshëm në dhjetëra vende të Europës.
Më 11 maj shporren Edi Rama dhe Qeveria që u bënë njësh me kriminelët e narkotrafikantët dhe vijnë politikanët me duar të pastra, që zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe e luftojnë ballas korrupsionin, krimin, drogën dhe pastrimin e parave.
Vota për Nr.1, për aleancën “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është vota për ndryshimin historik.
Vota për ILIR METAJ, deputet i Qarkut të Tiranës, është një votë e pastër kundër diktaturës.
Votat për kandidatët e Partisë së Lirisë në listat e hapura në të gjithë Shqipërinë janë garanci për demokracinë!
Suksese dhe Fitore të padiskutuar!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!