Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 30 qershor, ora 10:00, për të zhvilluar seancën e parë në themel për çështjen penale që lidhet me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”, një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit.
Në bankën e të pandehurve do të ulen tetë persona mes tyre edhe ish-kryeministri Sali Berisha, që do të bëhet zyrtari më i lartë në historinë politike të Shqipërisë që del para një trupe gjykuese në një përballje të drejtpërdrejtë me drejtësinë.
Berisha akuzohet nga SPAK për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili do të gjykohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, Berisha ka shfrytëzuar pushtetin si kryeministër për të favorizuar familjarët në procesin e privatizimit të pronave të klubit “Partizani”, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrje dhe duke lehtësuar fitimin e pronave publike nga persona të lidhur me të.
Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu:
Fatmir Bektashi, biznesmen, për korrupsion aktiv dhe pastrim parash
Xhimi Begeja, bashkëpronar i shoqërisë “Homeplan” dhe trashëgimtar i tokës – akuzohet për pastrim parash
Andia Pustina, financiere e “Homeplan”, për pastrim të produkteve të veprës penale
Studio ligjore Pustina sh.p.k., e përfaqësuar ligjërisht nga Andia Pustina
Shoqëria “Homeplan” sh.p.k.
Shoqëria “Kontakt” sh.p.k.
Asnjë prej të pandehurve nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka pritet ta shndërrojë këtë në një proces gjyqësor të gjatë, me dëshmitarë, prova dhe përballje të drejtpërdrejta në sallën e gjyqit.
Seanca e 30 qershorit do të shënojë hapjen zyrtare të një prej çështjeve më delikate që ka prekur nivelet më të larta të politikës shqiptare në dekadat e fundit.